Një person humbi jetën dhe 6 persona u plagosën mes të cilëve 2 në gjendje të rëndë pas një shpërthimi të fuqishëm shoqëruar me flakë në rafinerinë e Ballshit.
Viktima ishte Shkëlqim Muça, 40 vjeç nga Ballshi, i cili ishte më afër zonës ku shpërthyen flakët e para.
2 te plagosurit rende kane djegie ne 40% te trupit ndersa 2 te tjere ne 30%.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 21:00, në Repartin nr.3, në seksionin 92.
Shpërthimi ndodhi në momentin kur po ndërroheshin turnet dhe ka qenë një zjarrfikës ai që ka shkuar i pari në vendngjarje.
Gramoz Fejzo ka mbetur edhe vet i lënduar. “Shpërthimi në momentin që ndërroheshin turnet. Unë isha i pari që ju erdha në ndihmë. Shpërtheu bombola e hidrogjenit. Në momentin që ndodhi shpërthimi ishin 6 veta”, pohoi zjarrfikësi.
Ndërkohë drejtoresha spitalit të Fierit Brunilda Cami ka informuar sot se 4 të plagosurit janë dërguar në Tiranë për mjekim të specializuar në repartin e djegieve, ndërsa viktima e vetme e këtij aksidenti ndodhet në morgun e Fierit, kurse një zjarrfikës i plagosur u largua pasi mori mjekimin.
Sipas Policisë, në këtë repart ku po punonin 15 punonjës, shpërtheu një valvul e pompës së hidrogjenit. Mësohet se prej gati 5 ditësh në repartin e njohur si ai i hidropastrimit ishte prishur një kompresor, i cili nuk ishte riparuar.
Për këtë, punonjësit kanë bllokuar valvulën, duke vepruar në këtë mënyrë në pritje të riparimit të defektit. Kjo valvul shërbente në procesin e fundit të filtrimit të naftës, shumë pranë repartit të reaktorëve në uzinën e Ballshit.
Si pasojë e faktit që valvula nuk bënte shkarkimin e duhur, ajo është bllokuar dhe ka shpërthyer mbrëmjen e djeshme, duke shkaktuar dhe zjarrin masiv. Shpërthimi i provokuar nga shkarkimi i valvulës dhe më pas kontakti me lëndën djegëse ka tronditur të gjithë banorët e Ballshit, të cilët dhanë alarmin të parët.
Në momentet e zjarrit, në të gjithë uzinën ishin në turn 300 punonjës, të cilët janë larguar me shpejtësi nga ambientet e punës. Zjarrfikëse nga Ballshi, Fieri, Tirana e Vlora shkuan në uzinë për të bërë të mundur izolimin e flakëve. Rreziku më i madh qëndronte te reparti ngjitur, ai i reaktorëve, pasi nëse flakët depërtonin aty, atëherë mund të ndodhte një katastrofë e vërtetë.
Reaktorët shërbejnë për të bërë ftohjen e turbinave përpunuese dhe sipas specialistëve të uzinës, mësohet se kanë në përbërje të tyre lëndë radioaktive dhe ujë. Pas rreth 90 minutash u konfirmua se zjarri ishte izoluar dhe nuk përbënte rrezik për ambientet e tjera të uzinës.






