Pas kërkimeve intensive, ekipet e kërkim-shpëtimit kanë bërë të mundur gjetjen dhe nxjerrjen e trupit të pajetë të minatorit 40-vjeçar që mbeti i bllokuar pas një aksidenti në një galeri kromi në Bulqizë.
Sipas Policisë, viktima është shtetasi Ilir Kovaleri 40 vjeç, banues në Klos, i cili ra në një furnel gjatë procesit të punës në një subjekt minerar në zonën e Tërnovës së Madhe, në bashkinë Bulqizë. Ai mbeti i bllokuar nga materiali i kromit, ndërsa operacioni i kërkim-shpëtimit zgjati deri në lokalizimin dhe nxjerrjen e trupit.
Trupi i pajetë do të transportohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, ku do t’i nënshtrohet ekspertimit mjekoligjor.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet procedurale për dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit fatal.




