Gjykata e Lartë i është drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë me një padi kundër Ministrisë së Financave dhe Degës së Thesarit Tiranë, duke kërkuar marrjen e masës së sigurimit të padisë për të garantuar ekzekutimin e pagave të magjistratëve.
Kërkesa e parë për masë sigurimi pritet të shqyrtohet ditën e sotme, në orën 12:00, nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë.
Në objektin e padisë, Gjykata e Lartë kërkon konstatimin e paligjshmërisë dhe shfuqizimin e veprimeve të Ministrisë së Financave dhe Degës së Thesarit Tiranë, të cilat, sipas saj, kanë penguar procedimin dhe ekzekutimin e urdhër-shpenzimeve dhe listëpagesave të Gjykatës së Lartë për muajin gusht 2026.
Në mënyrë konkrete, Gjykata e Lartë kërkon pezullimin e efekteve të shkresës së Ministrisë së Financave nr. 14110, datë 2 shtator 2026, si dhe të veprimeve pasuese të strukturave të Thesarit që kanë sjellë mosprocedimin apo pezullimin e pagesave. Gjithashtu kërkohet që, gjatë kohës së masës së sigurimit, Thesari të mos pengojë procesimin e urdhër-shpenzimeve dhe listëpagesave të paraqitura nga Gjykata e Lartë.
Kerkesepadi ( Nr. 4898, date 09.09.2026).pdf
Në padi argumentohet se konflikti lidhet me zbatimin e vendimit nr. 15, datë 17 shkurt 2026, të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me pagën referuese të magjistratëve. Në zbatim të këtij vendimi, Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi më 26 gusht 2026 vendimin nr. 435, me të cilin konkretizoi pagën referuese bazë të magjistratit.
Më pas, Kryetari i Gjykatës së Lartë nxori urdhrin nr. 240, datë 31 gusht 2026, për përllogaritjen dhe përfitimin e pagës referuese bazë të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe këshilltarëve ligjorë. Sipas padisë, paga referuese bazë e përcaktuar për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë është 236 425 lekë, me efekt financiar nga 1 gushti 2026.
Gjykata e Lartë thotë se, mbi bazën e këtij urdhri, struktura e saj financiare përllogariti pagat dhe më 1 shtator paraqiti pranë Degës së Thesarit Tiranë urdhër-shpenzimet nr. 312 deri në 319, së bashku me listëpagesat dhe dokumentacionin bankar.
Por, sipas padisë, pas paraqitjes së dokumentacionit financiar ndërhyri Ministria e Financave, e cila kundërshtoi mënyrën e re të përllogaritjes së pagave. Ministria, sipas Gjykatës së Lartë, sugjeroi që listëpagesat e gushtit të riparaqiteshin sipas parametrave të përdorur deri në korrik 2026, duke deklaruar se vetëm pas këtij veprimi Thesari do të procedonte me pagesat.
Gjykata e Lartë argumenton se kjo ndërhyrje prodhoi një efekt konkret administrativ, pasi dokumentacioni i hartuar mbi bazën e vendimit të KLGJ-së dhe urdhrit të Kryetarit të Gjykatës së Lartë nuk u procedua.
Në padi i referohet edhe komunikimeve të strukturave të Thesarit, ku, sipas dokumentit, është bërë e ditur se, “në vijim të komunikimit me Ministrinë e Financave”, Dega e Thesarit nuk mund të procedonte me ekzekutimin e diferencave të pagave deri në përfundimin e verifikimit.
Gjykata e Lartë thekson se nuk po ngre padinë si përfaqësuese individuale e gjyqtarëve, por si institucion publik, kompetencat dhe detyrimet financiare të të cilit, sipas saj, janë cenuar nga veprimet administrative të kundërshtuara.
Përveç Gjykatës së Lartë, edhe gjyqtarë dhe gjykata të tjera kanë kërkuar në rrugë administrative sigurimin e padisë dhe marrjen e masave për garantimin e pagesave të magjistratëve, përfshirë bllokimin e fondeve në Thesar deri në ekzekutimin e pagave sipas përllogaritjeve të reja.
Në këtë kuadër, vendimi që pritet të japë sot Gjykata Administrative e Tiranës për kërkesën e parë për masë sigurimi pritet të jetë një nga zhvillimet e rëndësishme në përplasjen institucionale për zbatimin e pagave të reja të magjistratëve.a.b





