Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kanë arritur një marrëveshje për emrin që do të propozohet për postin e Presidentit të ri të Kosovës.
Pas takimeve dhe diskutimeve intensive mes dy liderëve, emri për të cilin është arritur dakordësia është Profesor Doktor Bekim Sejdiu.
Lajmin e ka bërë të ditur Abdixhiku, i cili tha se palët kishin zhvilluar disa takime për të gjetur një figurë konsensuale për kreun e shtetit.
“Kemi pasur takime të gjata, me diskutime të vazhdueshme dhe mjaft intensive. Të dyja palët kemi qenë të përkushtuar që të përcaktohemi për një emër konsensual për Presidentin e Republikës së Kosovës”, tha Abdixhiku.
Sipas kreut të LDK-së, gjatë negociatave janë shqyrtuar disa emra të personaliteteve me kontribut profesional dhe kombëtar, të cilët gëzojnë mbështetje në shoqërinë kosovare.
“Nga të gjithë emrat që janë propozuar e shqyrtuar, në mesin e të cilëve të gjithë ishin individë të dalluar, gjatë diskutimeve të përbashkëta jemi dakorduar për një emër dhe ai është Profesor Doktor Bekim Sejdiu”, deklaroi Abdixhiku.
Ai vlerësoi karrierën e Sejdiut, duke e cilësuar atë si një figurë me përvojë dhe me angazhime në pozita të rëndësishme.
“Karriera e Profesor Doktor Sejdiut është e shquar dhe e pasur, me përvojë të ndryshme e pozita të rëndësishme”, u shpreh Abdixhiku.
Marrëveshja mes Kurtit dhe Abdixhikut pritet të jetë një hap i rëndësishëm drejt përcaktimit të kandidaturës për postin e Presidentit të Kosovës, ndërsa zgjedhja përfundimtare do të varet nga procedurat dhe votimi në Kuvendin e Kosovës.





