Artan Myrtaj, rreth 44 vjeç, është vrarë me armë zjarri mëngjesin e kësaj të diele në Sarandë, ndërsa një 73-vjeçar, kalimtar i rastit, ka mbetur i plagosur.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:55, në zonën e ish-agjencisë. Në rrethana ende të paqarta, autorët kanë qëlluar me armë zjarri ndaj Artan Myrtajt, i cili ka mbetur i vrarë në vend.
Nga të shtënat është plagosur edhe shtetasi Xh. S., rreth 73 vjeç, i cili dyshohet se ka qenë kalimtar i rastit. I plagosuri është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Artan Myrtaj ishte arrestuar më parë për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”, në lidhje me një ngjarje kriminale të ndodhur më 17 korrik 2025 në lagjen nr. 4 të Sarandës. Në atë ngjarje, u plagosën me armë zjarri Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj, nga Kamza.
Myrtaj njihej edhe me nofkën “Tani i Ruzhdiut”.
Pas ngjarjes, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve, ndërsa janë ngritur pika kontrolli në drejtim të Vlorës dhe Gjirokastrës.





