Me thirrjet “Nesër më shumë”, “Arrestoni Ramën” dhe “Shqipëria po bën revolucion”, është mbyllur protesta e 112-të radhazi kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Pas fjalimeve, qytetarët kanë vijuar marshimin në rrugët e Tiranës, duke përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit dhe duke kërkuar që Edi Rama dhe ish-zëvendësja e tij, Belinda Balluku, të përballen me drejtësinë.
“Ju erdhi fundi”, “Dorëheqje”, “Arrestoni Ramën”, “Arrestoni Ballukun” dhe “Arrestoni Berishën” ishin disa nga thirrjet e dëgjuara gjatë marshimit.
Protestuesit kanë ngritur akuza politike ndaj qeverisë dhe kryeministrit, duke e akuzuar Ramën për korrupsion dhe duke pretenduar se qeveria nuk mbështet qytetarët. Ata janë shprehur se qëndresa e tyre do të vijojë dhe se synimi është ajo që e cilësojnë si “Shqipëria e Re”.
Gjatë protestës, aktivisti Mirjan Aliaj bëri thirrje për një tjetër tubim më 8 tetor, ditën kur, sipas tij, pritet të votohet në Kuvend harta e re territoriale e propozuar nga qeveria.
“Në datën 8 tetor pritet të votohet harta e re territoriale që qeveria e Ramës ka propozuar. I bëj thirrje çdo qytetari, që në datën 8 tetor nëse plani qeverisë nuk ndryshon, të mblidhemi para Kuvendit të Republikës që të mos e lejojmë Ramën të shkrijë bashkitë. I bëj thirrje të gjitha bashkive të vogla që janë pjesë e këtij plani, që në datën 8 tetor jemi në Kuvendin e Republikës dhe të mos i lejojmë këta deputetë që veprojnë kundër vullnetit popullor të mos e ndryshojnë hartën”, tha Aliaj.
Ndërkohë, aktivistja Luçiana Kokaj bëri thirrje për vijimin e protestave dhe u ndal te çështja e Rrjollit, duke deklaruar se banorët e zonës nuk kanë hequr dorë nga të drejtat e tyre.m.k





