Shtetet e Bashkuara, Danimarka dhe Grenlanda kanë arritur një marrëveshje e cila ia mundëson SHBA-së ta ketë një prani të madhe ushtarake në Grenlandë, ndërsa ua ndalon kundërshtarëve të SHBA-së të ndërtojnë bazat e tyre në ishull, tha të premten vonë presidenti Donald Trump.
NATO deklaroi se marrëveshja do të ndihmojë në stabilizimin e rajonit, ndërsa Trump tha se Danimarka do t’i japë SHBA-së “kontroll të përhershëm mbi sigurinë dhe të gjitha nevojat e tjera” në këtë territor danez me autonomi.
Udhëheqësit e Danimarkës dhe Groenlandës e mirëpritën marrëveshjen, e cila sipas tyre synon “forcimin e sigurisë” dhe pritet të nënshkruhet javën e ardhshme, por nuk dhanë detaje mbi përmbajtjen e saj.
Teksti i marrëveshjes nuk është bërë ende publik. Trump tha në një postim në Truth Social se marrëveshja nuk do të ketë “asnjë kosto për Shtetet e Bashkuara” dhe do t’i japë SHBA-së mundësinë “të bëjë atë që është e nevojshme” për të “garantuar dhe mbrojtur sigurinë e Groenlandës”.
Ai tha se marrëveshja përfshin edhe një rregull që asnjë kundërshtar i SHBA-së nuk do të mund të mbajë prani ushtarake në Groenlandë apo të kryejë “investime të ndjeshme në Groenlandë, pa miratimin tonë të shprehur me shkrim”.
Një zëdhënës i NATO-s tha se aleanca ushtarake e mirëpriti marrëveshjen, e cila do të “ndihmojë në avancimin e sigurisë, stabilitetit dhe bashkëpunimit në këtë rajon jetik”.
Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, tha se ishte “e kënaqur që ekziston perspektiva për një marrëveshje të mirë” për të treja palët. Marrëveshja pritet të nënshkruhet gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së javën e ardhshme.
Marrëveshja “forcon sigurinë tonë të përbashkët në zonën e Arktikut dhe Atlantikut të Veriut”, ndërsa njëkohësisht njeh “sovranitetin dhe integritetin territorial të Mbretërisë, si dhe të drejtën e popullit të Groenlandës për vetëvendosje”, tha ajo në një deklaratë të përbashkët me kryeministrin e Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen.
Në deklaratë theksohet se, pas nënshkrimit, marrëveshja duhet të kalojë ende nëpër “procedurat e nevojshme parlamentare për të hyrë në fuqi”.
Nielsen tha se ishte “kënaqësi që jemi pranë arritjes së një marrëveshjeje që garanton dhe forcon sigurinë e Groenlandës, Mbretërisë së Danimarkës, Shteteve të Bashkuara dhe aleancës perëndimore”.
“Marrëveshja njeh interesat e Groenlandës dhe vendin tonë në bashkëpunimin ndërkombëtar. Ajo është në të mirën e të gjithëve”, tha ai, shkruan BBC. r.b



