Në foto, Agasi me pranga në duar
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë detaje për arrestimin e Ergys Agasit, i cili u kap mbrëmjen e 26 gushtit në hyrjen jugore të Durrësit, në zonën e Plepave.
SPAK bën me dije se arrestimi u realizua pas një pune disa-javore, në bashkëpunim me strukturat operacionale të specializuara të Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Në momentin e arrestimit, Agasi shoqërohej nga shtetasi Ulia Shpataraku, ish-punonjës policie. Ky i fundit është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, të parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.
SPAK bën të ditur se vijon hetimet për procedimin penal nr. 20/1 të vitit 2025, në të cilin emri i Ergys Agasit është regjistruar më 5 dhjetor 2025.
Agasi po hetohet për një sërë veprash penale, mes tyre “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në formën e bashkëpunimit të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për “Grupin e strukturuar kriminal”.
Në kuadër të të njëjtit hetim, ndaj tij rëndojnë edhe dyshimet për kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal, pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale dhe korrupsionin aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.
Për Ergys Agasin ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” me vendimin nr. 125, datë 15 dhjetor 2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Vendimi për arrestimin e tij ishte dërguar për ekzekutim pranë strukturave të Policisë së Shtetit më 17 dhjetor 2025.
Pas arrestimit të Agasit, SPAK falënderoi Policinë e Shtetit për bashkëpunimin dhe realizimin me sukses të operacionit.
Ergys Agasi prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.a.b





