Pesë shtetas shqiptarë, mes tyre tre të mitur dhe një 79-vjeçare, janë riatdhesuar nga Siria dhe kanë mbërritur në Shqipëri në orët e para të 26 gushtit.
Operacioni u zhvillua në kuadër të përpjekjeve të institucioneve shqiptare për kthimin e shtetasve që ndodhen ende në zonat e konfliktit dhe kampet në Siri. Procesi u koordinua mes institucioneve shqiptare, përfaqësive diplomatike dhe autoriteteve të vendeve të përfshira.
Mes të riatdhesuarve janë 79-vjeçarja Hajrie Taushani, e cila është kthyer bashkë me nipin 9-vjeçar, të lindur në Siri, si dhe Myrvete Dibra. Dy të tjerat janë vajza 17 dhe 9 vjeçe.
Të pesë mbërritën në Rinas rreth orës 01:20, ku u pritën nga ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita, Koordinatorja Kombëtare kundër Ekstremizmit të Dhunshëm Lejdi Dervishi dhe përfaqësues të institucioneve të tjera të përfshira në proces.
“Mirë se u kthyet në shtëpi!”, shkroi Lamallari në rrjetet sociale, duke publikuar edhe pamje nga operacioni.
Hajrie Taushani kishte udhëtuar drejt Sirisë pas humbjes së djalit të saj, i cili ishte larguar drejt këtij vendi për t’iu bashkuar formacioneve të ISIS-it. Ajo kishte shkuar me qëllim marrjen dhe kujdesin për nipërit e saj.
Pas rënies së strukturave territoriale të ISIS-it, 79-vjeçarja kishte qëndruar në kampin Al-Hol, në kushte të vështira jetese, ndërsa kujdesej për fëmijë të mitur, përfshirë edhe dy fëmijë jetimë që ndodheshin nën kujdesin e saj.
Lamallari falënderoi institucionet e përfshira në Task-Forcën e ngritur me urdhër të Kryeministrit për koordinimin e operacionit.
Institucionet shqiptare kanë konfirmuar se procesi i riatdhesimit do të vijojë, me synimin për kthimin e të gjithë shtetasve shqiptarë që ndodhen ende në Siri, duke respektuar procedurat ligjore dhe të sigurisë, si dhe duke garantuar mbrojtjen dhe trajtimin e përshtatshëm të të miturve.a.b




