Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me incidentin e vitit 1997, kur ai u dhunua dhe pësoi dëmtime të rënda fizike, ndër të tjera edhe thyerje të hundës.
Berisha akuzoi Ramën se po e përdor ngjarjen për të viktimizuar veten, ndërsa pretendoi se autori i agresionit ishte arrestuar, por procesi gjyqësor nuk ishte ndjekur nga Rama.
“Së pari, agresori u arrestua, por ishte Edi Rama që nuk e ndoqi, megjithëse kishte qeverinë e vet, nuk ndoqi gjyqin dhe procesin gjyqësor”, deklaroi Berisha.
Ai tha se Rama, në momentin e incidentit, nuk ka qenë vetëm në dhomën ku ndodhi ngjarja, por ka qenë së bashku me një person tjetër. Berisha tha se personi në fjalë ka emër dhe mbiemër, por nuk dha detaje të mëtejshme mbi identitetin apo marrëdhënien mes tyre.
“Së pari, agresori u arrestua, por ishte Edi Rama që nuk e ndoqi, megjithëse kishte qeverinë e vet, nuk ndoqi gjyqin dhe procesin gjyqësor. U pajtua apo kishte arsye të tjera, unë nuk e di.
Së dyti, me përgjegjësi të plotë deklaroj se ai, aty ku ishte, në atë dhomë, ishte me një burrë tjetër. Nuk të lë ky pa i nxjerrë të gjitha.
Dhe ai ka emër dhe mbiemër. Se pse ishin, atë nuk e di, jo, nuk e them.
Por e vërteta është me dëshmitarë se ai nuk ishte vetëm në dhomë. Jo, nuk ishte vetëm.
Po të dojë, ia them edhe emrin se me kë ishte, megjithëse përpiqet ta faturojë dhe ta politizojë”, deklaroi Berisha.
Berisha e cilësoi incidentin si një ngjarje për të cilën në atë kohë “nuk qenë të paktë ata që e quajtën krim pasioni”, ndërsa theksoi se e kishte dënuar dhunën.
Sipas Berishës, Rama po e rikthen pas afro tri dekadash ngjarjen për të krijuar, sipas tij, një perceptim të viktimizimit dhe për të nxitur empati te qytetarët.
“E kam dënuar me forcën më të madhe. Është arrestuar autori”, tha ai.r.p





