LUSHNJË – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) zhvilloi turin përkujtimor “Peizazhe të Internimit” në fshatrat dhe vendet e internimit të Lushnjës, në kuadër të 23 Gushtit, Ditës Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare.
Në ceremoninë përkujtimore në Savër mori pjesë edhe Presidenti Bajram Begaj, ndërsa të pranishëm ishin kryetarja e Bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa, ish-të internuar, familjarë, studiues dhe përfaqësues institucionesh.
Kryetarja e AIDSSH-së, Gentiana Sula, kritikoi mënyrën se si, sipas saj, shteti shqiptar është përballur me çështjen e ish-të përndjekurve politikë gjatë tranzicionit, duke theksuar zvarritjet, premtimet e pambajtura dhe mungesën e mbështetjes konkrete.
“Shumë prej tyre ikën pa gjetur eshtrat e njerëzve të tyre, pa rifituar pronën, pa marrë njohjen dhe kujdesin që meritonin. Të tjerë vazhdojnë të mbijetojnë sot në ish-zonat e internimit ose në emigracion, të moshuar dhe të lodhur, pa e ndier seriozisht dorën mbrojtëse të shtetit”, deklaroi Sula.
Ajo theksoi se ndjesa e shtetit ndaj viktimave të diktaturës nuk duhet të mbetet vetëm në ceremoniale, por duhet të shoqërohet me veprime konkrete, përfshirë njohjen ligjore, drejtësinë, kthimin e të drejtave, kërkimin e të zhdukurve dhe ruajtjen e vendeve të kujtesës.
“Ata nuk kërkuan dhe nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë të vërtetën, dinjitetin dhe drejtësinë që Republika ua ka ende borxh”, u shpreh Sula.
Presidenti Bajram Begaj bëri thirrje për dokumentimin dhe ruajtjen e dëshmive të ish-të përndjekurve, duke vënë në dukje se koha po pakëson dëshmitarët e drejtpërdrejtë dhe po degradon gjurmët fizike të vendeve të vuajtjes.
“Koha ikën, koha nuk pret. Dëshmitarët po pakësohen, gjurmët fizike po degradojnë dhe kujtesa e drejtpërdrejtë po bëhet gjithnjë e më e brishtë”, deklaroi Begaj.
Sipas hartës së AIDSSH-së, në Lushnjë janë evidentuar 16 fshatra dhe vendbanime të lidhura me sistemin e internimit. Në këto zona kanë vuajtur internimin mbi 500 familje, me rreth 2,100 persona të evidentuar. Shifrat nuk përfshijnë plotësisht fëmijët që kanë lindur ose janë rritur në internim.
Turi përkujtimor përfshiu disa nga vendet më të rëndësishme të internimit në territorin e Lushnjës.
Në Savër, pjesëmarrësit vizituan barakat ku jetonin familjet e internuara, vendin e apelit të përditshëm dhe hapësirat e ish-Ndërmarrjes Bujqësore. Ish-të internuarit Sofokli Kuqeshi, Vilma Mirakaj dhe Zamira Tole Hysa sollën dëshmi mbi jetën nën mbikëqyrje, punën e detyruar dhe pasojat që “biografia” kishte mbi fëmijët e familjeve të internuara.
Në Gjazë, turi u ndal pranë memorialit kushtuar Dom Mikel Koliqit. Deputeti Saimir Korreshi kërkoi që shtëpia ku kishte jetuar kleriku të restaurohet dhe të kthehet në muze. Dom Mikel Koliqi kaloi rreth 38 vite në burgje, kampe pune dhe internim gjatë regjimit komunist.
Një tjetër ndalesë ishte ish-Burgu i Grave në Kosovë të Madhe. Sipas të dhënave të paraqitura gjatë aktivitetit, Reparti nr. 318 funksionoi nga viti 1976 deri në vitin 1990 dhe rreth 450 gra u transferuan fillimisht në këtë repart, ku u detyruan të punonin në Ndërmarrjen Bujqësore Kosovë.
Studiuesja Fiona Todhri solli edhe historinë e Fatime Degës, e arrestuar në vitin 1952, kur ishte vetëm 14 vjeçe, dhe e dënuar me shtatë vite burg për “agjitacion e propagandë”. Historia e saj u përdor si dëshmi e represionit politik që preku edhe të miturit dhe gratë.
Turi u përmbyll në Plug, në shkollën 9-vjeçare “Lek Pervizi”. Në këtë ndalesë u rikujtuan dëshmitë e ish-të internuarve dhe historia e kampit të Plugut.
Në një moment simbolik, Gentiana Sula i dhuroi drejtoreshës së shkollës një portret të Lek Pervizit, piktorit, poetit dhe ish-të internuarit, emrin e të cilit mban shkolla.
AIDSSH e cilësoi turin si një nismë për lidhjen e dokumenteve arkivore me dëshmitë e të mbijetuarve dhe me vendet ku qindra familje u internuan dhe jetuan nën mbikëqyrje, punë të detyruar dhe privim të lirisë.r.k





