Shkrimtari Flori Kasaj është nderuar me Çmimin letrar “Dega e Ullirit” për letërsinë për fëmijë, për veprën “Ditari i Astronautit të vogël”, botuar nga shtëpia botuese Dita Books (Tiranë). Juria e vlerësoi veprën me motivacionin: “Për ndërthurjen e arrirë të fantazisë me shkencën dhe të imagjinatës me ndjenjat njerëzore, duke krijuar një vepër që frymëzon lexuesit e vegjël të ëndërrojnë, të mendojnë dhe të zbulojnë botën me kureshtje e ndjeshmëri.”
Ky është vlerësimi i dytë letrar për autorin në panaire libri, pas Çmimit të fituar në Kosovë, në vitin 2024.
Çmimi “Dega e Ullirit” hapi ceremoninë e ndarjes së Çmimeve të edicionit të 25-të të Panairit të Librit në Ulqin dhe iu dorëzua autorit nga shkrimtari LiridonMulaj, anëtar i jurisë, (Behar Gjoka, kryetar dhe IsmetKallaba, anëtari tjetër i jurisë). Në këtë kategori u vlerësuan dy autorë, Flori Kasaj nga Shqipëria për librin “Ditari i Astronautit të vogël” dhe Gazmend Çitaku nga Mali i Zi për librin “Aventurat e Dorartit”.
Në kategoritë e tjera, Çmimi letrar “Olcinium” iu dha Zhani Cikos për veprën “Opera ime” (Mediaprint), Çmimi për përkthimin “Servantes”, iu dha Sokol Çungës për përkthimin e veprës “Medea” (Albas), ndërsa Çmimi “Liburnia” iu akordua Bashkim Hoxhës për romanin “Balada e piratit dhe poetit” (Toena).
Edicioni jubilar shënoi 25-vjetorin e Panairit të Librit në Ulqin, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të rajonit, që zhvillohet falë përkushtimit të organizatorëve, Irena dhe Fatmir Toçi. Një çerek shekulli më parë, sjellja e librit shqip në Ulqin nuk ishte një proces i lehtë, ndërsa sot panairi është kthyer në një pikëtakim të rëndësishëm të autorëve, botuesve dhe lexuesve nga Shqipëria, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe më gjerë. Organizatorë: Komuna e Ulqinit, Qendra për Kulturë Ulqin, Organizata Turistike Ulqin, Ministria e Kulturës dhe Medias e Malit të Zi, Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave e Malit të Zi, Ndërmarrja Komunale Ulqin, si dhe Instituti i Librit dhe i Promocionit nga Shqipëria si bashkëorganizator i përhershëm.
Ky panair zhvillohet nga data 5 deri më 9 gusht 2026 në Pazarin e Suvenireve në Ulqin, me një program të pasur aktivitetesh letrare, promovimesh dhe takimesh me autorë.
Në ceremoninë e hapjes mori pjesë edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, së bashku me përfaqësues të institucioneve kulturore dhe politike nga Shqipëria dhe Mali i Zi, mes tyre edhe drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Arta Marku.
Gjatë fjalës së tij, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e librit dhe leximit në shoqëri dhe vlerësoi gjithashtu se libri duhet të trajtohet si një përparësi kombëtare:“Libri duhet të trajtohet si një përparësi kombëtare jo vetëm në fjalime dhe në ditët kur hapen panairet, por në mënyrën se si investojmë te bibliotekat, si i përzgjedhim librat për shkollat dhe si mbështesim botuesit, përkthyesit e autorët, si dhe si e afrojmë librin me fëmijët.”
Edicioni i 25-të i Panairit të Librit në Ulqin konfirmoi edhe një herë rolin e tij si një urë lidhëse mes kulturës, librit dhe hapësirës mbarëshqiptare, duke promovuar autorët, gjuhën shqipe dhe vlerat e leximit.m.k





