Mijëra qytetarë protestojnë para Kryeministrisë, marshojnë në rrugët e Tiranës në ditën e 41-të të protestave
Mijëra qytetarë u mblodhën mbrëmjen e së premtes para Kryeministrisë për të protestuar kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, në atë që organizatorët e cilësuan si ditën e 41-të radhazi të protestave qytetare.
Protestuesit, të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit, mbajtën pankarta dhe artikuluan thirrje kundër qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Gjatë tubimit u dëgjuan slogane si: “Rama, dorëhiqu!”, “Poshtë qeveria!”, “Shqipëria është e qytetarëve”, si dhe “Edi Rama o tradhtar, me Shqipërinë mos bëj pazar”.
Pas fjalimeve të mbajtura përpara godinës së Kryeministrisë, protestuesit nisën marshimin në rrugët e kryeqytetit. Ata kaluan përgjatë Rrugës së Kavajës, më pas pranë Bashkisë së Tiranës dhe vijuan drejt zonës së 9-Katësheve.
Gjatë marshimit, pjesëmarrësit përsëritën thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit dhe arrestimin e tij, ndërsa u bënë apel qytetarëve t’u bashkoheshin protestave. Në fokus të manifestimit mbetën kritikat ndaj qeverisë dhe kërkesa për ndryshim politik.
Protesta u zhvillua pa incidente të raportuara dhe përfundoi pas marshimit në rrugët e Tiranës.





