Kryeministri Rama ka publikuar sot letrën e një banori të Tiranës që e shkruan në emër të 12 familjeve të një pallati afër ministrisë së Jashtme, shembur pjesërisht nga tërmeti por nga 1.2 miliardë euro të mbledhura në 2019, nuk u përdor asnjë cent për ata banorë.
Rama ka marrë të njëjtën letër edhe para një viti. Kryeministrit nuk i mjaftoi një vit për të zgjidhur çështjen ndërsa sot i thotë se protesta nuk duhet të furnizohet nga hallet. a.b
TEKSTI I LETRËS DHE KRYEMINISTRI AKULL I FTOHTË ME HALLIN/ Mirëdita, zoti Kryeministër. Lexova, si çdo ditë, edhe sot postimin tuaj, të ardhur nga një qytetar i gjeneratës time”. Pra, dërguesi është i të njëjtës gjeneratë me mua.
“Shumë e qartë që një kryeministër vlerësohet dhe votohet për vizion, ide, ambicie, sfida që na bashkojnë si komb, të cilat në mënyrë direkte apo indirekte prekin jetët tona. Problemi fillon kur institucionet e varësisë harrojnë që, ndërsa një kryeministër ka për detyrë ato më sipër, ato duhet të merren me problemet e përditshme që i prekin jetët tona dhe jo të përfitojnë nga ky vizion, por të punojnë që vizioni të jetë i prekshëm edhe për ne.
Jemi 12 familje që janë bashkuar në këtë protestë, jo të gjithë me prezencë në bulevard, sepse jemi të zhgënjyer që akoma edhe sot nuk kemi një zgjidhje për gjysmën e pallatit që na është shembur nga tërmeti i 2019-ës, pranë Ministrisë së Jashtme. Kemi ndjekur të gjitha rrugët e robit, të ligjit dhe të Zotit për të kërkuar ndihmë pranë çdo institucioni, minibashki, bashki, Avokat Populli, ministri dhe kryeministri, por akoma sot pa përgjigje.
Ju kemi shkruar edhe ju një letër vitin që shkoi dhe menjëherë pas saj na kontaktuan nga Bashkia Tiranë, duke na premtuar zgjidhje në prani edhe të deputetes. Por pas zgjedhjeve elektorale, përgjigjet në shkresa nuk kishin kurrfarë lidhjeje me premtimet në zyrë, nuk na prisnin më. E delegonin problemin në institucione të tjera për mungesë kompetencash ligjore; u rikthye në pikën zero. Asnjë që merr përsipër jo të na e zgjidhë, por të paktën të çojë zërin ku duhet, ta ndjekë problemin dhe të na mbajë në kontakt të vazhdueshëm.
Për këtë ju kemi zgjedhur, mendoj edhe ne si qytetarë, në mënyrë direkte apo indirekte; prej gjashtë vitesh në spirale, nga një derë te tjetra, i vendosim emrin tuaj këtij problemi. Ndoshta gabimisht”, e thotë vetë në kllapa, “nuk janë pak gjashtë vite pa përgjigje dhe, ndërkohë, shikojmë që jepen leje ndërtimi për resorte, komplekse, pallate. Mirë se të vijnë, çdo muaj pothuajse, por pyesim veten: po për një shkallë pallati kaq e vështirë është leja? Duhet të jemi ndërtues, biznesmenë që të gjejmë kanalin e komunikimit dhe pastaj aludojmë, duke ngarkuar veten dhe mendjen, që aty i është premtuar këtij, atij ndërtuesi; nuk dimë çfarë shpjegimi t’i japim kësaj përplasjeje realitetesh.
Dhe kur mendja helmohet, këmbët të çojnë në bulevard. Pse ne duhet t’i shkruajmë letra dhe SMS një kryeministri, kur ka me dhjetëra drejtorë, ministri e bashki që në gjashtë vite duhet të nakishin zgjidhur problemin? Pse duhet të shkëputem unë nga puna për të çuar këtë SMS? Pse duhet të dal të protestoj pasdite, kur mund të kaloja kohë me fëmijët e mi? Pse duhet të pres?Nuk i mjaftuan gjashtë vite këtij shteti?
Këto probleme të përditshme, por jetësore, që ne ndeshemi prej vitesh, na detyrojnë të gjejmë fajtorin tek ju. Vetë administrata juaj ka tendencën t’ia delegojë paaftësinë e saj te ju, duke na vënë ne si qytetarë përballë jush si kryeministër. Përgjigje informale të tipit: ‘Pse s’e ke dërguar në gjykatë?’, ‘Meqenëse kryeministri ju ka premtuar zgjidhje, le t’ua japë ai’, ‘S’keni pse vini këtu, nuk është kompetenca ime, por e qeverisë’, ‘Nuk firmos unë të shkoj në burg se do kryeministri t’jua bëjë aty pallatin ku e keni pasur’, nuk bëjnë gjë tjetër veçse e mbushin gotën e ujit çdo ditë.
Ndjesë për mënyrën e drejtpërdrejtë të komunikimit, por mendoj që është më e ndershme kështu. Shumë në rregull me planet dhe vizionet, por duam të jetojmë mirë çdo ditë dhe duam sot. Nuk kemi nevojë për lëmoshë, se ia dalim vetë në jetë, por duam që shteti të mos na vendoset si traversë. Kemi ndjesinë e keqe se nakanë hyrë në hak dhe nuk do të gjejmë më zgjidhje. Ndjesë për shqetësimin, por ndihem i pafuqishëm për të zgjidhur këto probleme dhe më besoni që kjo ndjesi më dhemb.
Faleminderit. Ditë të mbarë. Me respekt, Amos Mezuraj.”
Tani, unë dua ta them shumë qartë dhe shumë drejtpërdrejt: kjo është protesta që mua më intereson, që mua më zemëron po ashtu, që mua më motivon të vazhdoj luftën time. Nuk më zemëron mua protesta e sikur-eve, as protesta e shtirjeve. Ajo më neverit; kjo më zemëron.
Dhe nëse do të isha në vendin tënd, i dashur Amos, pas gjashtë vitesh pritje, dyersh që hapen e mbyllen, premtimesh që treten, përgjigjesh që delegojnë përgjegjësinë te dikush tjetër, me shumë gjasa unë do të ndihesha njësoj; me shumë gjasa edhe unë do të ndihesha pjesë e asaj proteste ose do të shkoja edhe vetë në protestë.
Kështu që nuk e vë në dyshim për asnjë moment. Përkundrazi, e ndjej, sado që mund të mos ta besosh. E ndjej zemërimin tënd si të ishte imi. Dhe mesazhi yt është këtu, i nxjerrë.




