Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka shpjeguar sot para deputetëve skemën mbi të cilën u hartua amnistia për të burgosurit.
Ministri Manjani bëri me dije se amnistia e këtij viti është prirur drejt grupeve të margjinalizuara, pra në thelb të saj ka qenë dimensioni human.
Numri total i të amnistuarve arrin në 670 persona, mes të cilëve edhe 15 gra, 7 burra mbi moshën 60 vjeç, 8 të mitur si dhe 15 të sëmurë termianalë, të gjithë këta të papërfshirë në kriteret ndaluese të këtij projektligji.
Njëkohësisht Ministri Manjani specifikoi se nuk janë përfitues të kësaj amnistie zyrtarët publikë nën akuzë, personat që kanë kryer krime seksuale, vepra penale e dhunës në familje, vrasja etj.
Aktualisht ndodhen në burgje 6158 persona dhe kapaciteti është 4455. Pra ka një mbipopullimi rreth 700 persona. Krahasuar me një vit më parë ka një rënie në mbipopullim, nga mbi 900, në 700 të dënuar.
Sipas ministrti Manjani kjo amnisti orientohet drejt grupeve të margjinalizuara si gratë, të miturit, të sëmurë që janë në fazën terminale të jetës si dhe vepra penale me dënime modeste. Kriteri bazë është që të përfitojnë nga amnistia ose ata që janë dënuar me 2 vjet, ose ata që u ka mbetur edhe 2 vjet burgim. Gratë mbi 55 vjeç dhe burrat mbi 60 vjeç të jenë përfitues si dhe të miturit nën moshën 18 vjeç. Gjithashtu personat me dëmtime fizike që ne i gjykojmë se nuk janë më të rrezikshëm për shoqërinë si invalidët, tetraplegjikët, të paralizuarit apo të sëmurët në fazën e fundit të jetës.
Manjani lajmëroi deputetët se nuk përfitojnë nga amnistia zyrtarët publik që gjenden nën akuzë apo të dënuar, përsëritësit e veprave penale, ata që ushtrojnë dhunë në familje, dhuna seksuale, ata që dhunojnë të miturit, etj. Këtë rradhë kemi propozuar që ta shtrijmë amnistinë edhe ndaj ndjekjes penale për të gjitha ato raste kur akuza e ngritur nuk e kalon dënimin më shumë se dy vjet. Gjithashtu propozojmë edhe një amnisti pak të zgjatur për të gjithë ato persona të cilët deri në muajin prill vullnetarisht dorëzojnë armën e paligjshme në Komisariatin apo rajonin e policisë më të afërt, tha Manjani.
Lirimi parakohe me kusht është një akt individual që e merr gjykata. Amnistia është një akt kolektiv, një akt – normativ që normon më shumë sesa një person.
Në të dyja rastet si me lirim parakohe me kusht si me amnisti, qëllimi është edukimi. Personi mbetet i dënuar por duhet që të edukohet dhe të jetë pjese e sistemit edukativ dhe për kët arsye ne i lidhim me Shërbimin e Provës. Ky shërbim duhet të jetë në gjendje të jap vlerësime apo raporte, sesi këta njerëz sillen pas përfitimit të amnistisë.





