Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas situatës së krijuar nga zjarri në Krujë duke vlerësuar punën e forcave zjarrfikëse, ushtarake dhe policore gjatë përballimit të flakëve.
Rama tha se zjarri është përballuar në kushte të vështira, për shkak të erës dhe pamundësisë për të përdorur mjetet zjarrfikëse nga ajri gjatë natës.
“Ka përfunduar me vetëm një magazinë të shkrumbuar dhe asnjë banor të dëmtuar, një betejë e jashtëzakonshme me zjarrin në malin e Krujës, ku në praninë e erës dhe në pamundësinë e natës për të përdorur mjete zjarrshuajtëse nga ajri, trupat tona zjarrfikëse, ushtarake e policore u përballën me heroizëm e me aftësi të spikatur profesionale, duke shmangur një bilanc që mund të kishte qenë tragjik siç fatkeqësisht po ndodh në vende të tjera të Europës në këtë verë përvëluese🔥🔥🔥”, shkruan Rama.
Kryeministri ka shprehur mirënjohje për forcat që u angazhuan në terren, duke i cilësuar “heronjtë tanë të vijës së zjarreve”.
“Respekt dhe mirënjohje për heronjtë tanë të vijës së zjarreve të këtij gushti sfidues, ku mbrëmë banorët e Krujës panë se nuk ishin vetën në orët e tyre tejet të vështira”, vijon Rama.
Në reagimin e tij, kryeministri ka publikuar edhe një mesazh që, sipas tij, i është dërguar gjatë natës nga një banor i Krujës, i cili vlerësonte punën e forcave në terren dhe kërkonte përforcime për shkak të përhapjes së zjarrit nga era.
“Zoti Kryeminister ! Ju lutem zjarri po merr permasa te medha ne Kruje! Po punojne si heronj Zoti ia shperblefte …por era po e perhap me shume shpejtesi .ne eshte e mundur per perforcime te tjera ..shteti eshte ne kembe i teri”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Rama.a.b





