Specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, kanë arrestuar sot në flagrancë Safet Rizvani, 22 vjeç, banues në Fier dhe Denis Dukiç, 30 vjeç, banues në Zagreb, Kroaci.
Mësohet se janë shpallur gjithashtu në kërkim dhe punohet për kapjen e F. B. (të dhëna të tjera nuk jepen për arsye hetimi) dhe M. K., 30 vjeç.
Sipas burimeve zyrtare të Policisë vendore ët Tiranës, mësohet se këta persona, dyshohen se ushtronin aktivitetin e kundërligjshëm të trafikimit të mjeteve motorike. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas merrnin mjete me qira në kompani të ndryshme, me qëllim trafikimin e tyre jashtë Republikës së Shqipërisë, në drejtim të shtetit Serb, ku më pas i deklaronin të vjedhura.
Safet Rizvani në bashkëpunim me Denis Dukiç, dyshohet se një ditë më parë, kanë tentuar të trafikojnë një automjet të tipit “Skoda Superb”, mjet i cili është marrë me qira nga shtetasi Denis Dukiç te një kompani për dhënien e mjeteve me qira. Gjithashtu Safet Rizvani në bashkëpunim me shtetasin M. K., më datë 26. 11. 2016, dyshohet të kenë trafikuar drejt Serbisë, mjetin tip “Skoda Oktavia”, të marrë me qira te një kompani për dhënien e mjeteve me qira, mjet të cilin e kanë denoncuar të vjedhur më datë 30. 11. 2016, në Kumanovë të Maqedonisë.
Kjo veprimtari është organizuar nga F. B.
Materialet iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Trafikim i mjeteve motorike”, parashikuar nga Neni 141/a i Kodit Penal.





