Shqiptari në foton më sipër u arrestua më në fund nga policia greke me akuzën e sulmit me acid ndaj një avokati grek 9 vjet më parë.
Policia greke është e sigurt për personin por aspak për emrin që e ka vështirë ta publikojë si emrin e vërtetë.
Ky shqiptar mendohet se i përkiste një grupi emigrantësh shqiptarë që plagosën rëndë avokatin grek Paulos Sarakis duke i hedhur acid.
Shqiptari me 15 emra, siç cilësohet nga mediat greke, ishte kthyer kohët e fundit në Greqi, pasi jetonte në atdhe i fshehur që nga dhjetori i vitit 2007 kur sulmoi me acid avokatin grek.
Shqiptari ka këto emra: Demir Papa, Demir Grabova, Demir Papai, Demir Ekimi, Lalaj Prapaj, ose Noti, Arben, Orges, Orkes, Jorgo, Jani, Erion apo Mario.
Ndryshimin e identitetit ai e ka bërë për t’i shpëtuar arrestimit. Ai dyshohet se është një nga dy autorët që tentuan të vrisnin avokatin Sarakis.
Sarakis u prononcua për gazetën ‘Protothema’ pas arrestimit të shqiptarit duke thënë:
“Unë besoj se ka edhe persona të tjerë që dhanë urdhrin për kontratën e vdekjes. Është detyrë e drejtësisë të hetojë plotësisht këtë çështje dhe të zbulojnë të gjitha palët e përfshira në këtë krim barbar kundër meje”.
Avokati Paulos Sarakis u tentua të vritej në vitin 2007 në lagjen ‘Neos Kosmos’ të Athinës.





