Plot 11 raste të grabitjes së mjeteve tip furgon në kryeqytet dhe të një kamionçine, janë zbardhur ditën e sotme nga Policia e Tiranës. Në pranga është vënë një 25-vjeçar, Erion Mazhi, banues në fshatin Renxe, Dibër, ndërsa është shpallur në kërkim 48-vjeçari H. Elezaj.
Pas informacioneve të marra në rrugë operative, Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. Kanë mundur të dokumentojnë me prova ligjore këto raste, si dhe të identifikojnë autorët dhe mekanizmin e kryerjes së kësaj veprimtarie kriminale.
“Më konkretisht ka rezultuar se shtetasi H. Elezaj, në bashkëpunim me persona të tjerë për të cilët po kryhen hetime për identifikimin e tyre, dyshohet se kryente vjedhjen e automjeteve të tipit Mercedes Benz kategoria furgon, në qytetin e Tiranës dhe i dërgonte në rrethin e Dibrës, në një pikë grumbullimi mjetesh të përdorura, ku dhe më pas çmontoheshin dhe shiteshin për pjesë këmbimi. Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr 1, janë kryer veprime verifikuese dhe hetimore ku është bërë e mundur gjetja e pikës së grumbullimit të mjeteve të përdorura, në fshatin Renxe Komuna Fushëqidhën, rrethi Dibër, me pronar shtetasin Erion Mazhi”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në pikën e grumbullimit u konstatuan dhe sekuestruan pjesë të dyshuara të automjeteve të vjedhura në qytetin e Tiranës në kohë dhe vende të ndryshme.





