Droni.al
  • Home
  • Politika
  • Kronika
  • Ekonomi
  • Opinion
  • Rajoni
  • Kulture
  • Sport
  • AI Assisted News
  • #rozë
  • #gjejpunë
  • FACT&FAKE
No Result
View All Result
  • Home
  • Politika
  • Kronika
  • Ekonomi
  • Opinion
  • Rajoni
  • Kulture
  • Sport
  • AI Assisted News
  • #rozë
  • #gjejpunë
  • FACT&FAKE
No Result
View All Result
Droni.al
No Result
View All Result

PAPA FRANÇESKU */ Misioni i Nënë Terezës, dëshmi e afërsisë së Zotit pranë të varfërve më të varfër

04/09/2016
PAPA FRANÇESKU */ Misioni i Nënë Terezës, dëshmi e afërsisë së Zotit pranë të varfërve më të varfër
Share on FacebookShare on Whatsapp

“E kush mund ta përfytyrojë se çka do Zoti?”. (Ur. 9,13). Kjo pyetje nga Libri i Urtisë, që e dëgjuam në leximin e parë, na e paraqet jetën tonë si mister, çelësin e shpjegimit të të cilit nuk e kemi ne. Protagonistët e historisë janë gjithnjë dy: Zoti në njerën anë, njeriu, në tjetrën. Detyra jonë është ta perceptojmë  thirrjen e Zotit e, më pas, ta pranojmë vullnetin e tij. Por, për ta pranuar pa ngurrim, duhet të pyesim: Cili është vullneti i Zotit në jetën time?
Në të njëjtin fragment të Librit të Urtisë, gjejmë edhe përgjigjen: “Vetëm kështu njerëzit mësuan çfarë të pëlqen”(v 18). Për ta vërtetuar thirrjen e Zotit, duhet të pyesim e të kuptojmë ç’i pëlqen Atij. Shpesh herë profetët kumtojnë ç’i pëlqen Zotit. Mesazhi i tyre përmblidhet mrekullisht në shprehjen: “Mëshirë dua, jo fli!”(Os.6,6); Mt 9,13). Zotit i pëlqen çdo vepër mëshire, sepse në vllain, që ndihmojmë, shikojmë fytyrën e Zotit, që nuk mund ta shikojë askush (cfr Gjn 1,18). Sa herë përkulemi mbi vëllezërit nevojtarë, i japim të hajë e të pijë vetë Jezusit: e veshim, e ndihmojmë, e vizitojmë Birin e Zotit (krh Mt 25,40).
Jemi, prandaj, të thirrur ta jetojmë konkretisht, atë që themi në lutje e që e shpallim në fe. Nuk ka rrugë tjetër, përveç dashurisë së krishterë: gjithsa vihen në shërbim të vëllezërve, edhe pa e ditur, janë ata që e duan Zotin (khr 1 Gjn 3,16-18; Gc 2,14-18). Jeta e krishterë, gjithsesi, nuk është ndihmë e thjeshtë, që jepet në çastin e nevojës. Po të ishte kështu, do të qe sigurisht një ndjenjë solidariteti njerëzor, që sjell dobi të menjëhershme, por do të ishte shterpë, sepse pa rrënjë. Angazhimi që kërkon Zoti, përkundrazi, është ai i thirrjes për atë bamirësi, me të cilën çdo dishepull i Krishtit vë në shërbim jetën e vet, për t’u rritur çdo ditë në dashuri.
Dëgjuam në Ungjill se “një turmë e shumënumërt shkonte me Jezusin” (Lk 14,25), Sot, kjo “turmë e shumënumërt” përfaqësohet  nga bota e gjerë e vullnetariatit, që u mblodh tani këtu, me rastin e Jubileut të Mëshirës. Jeni ju, kjo turmë, që ndjek pas Mësuesin dhe e bën të dukshme dashurinë e Tij konkrete për çdo njeri. Po jua përsëris fjalët e Shën Palit Apostull: “Dashuria jote ka qenë për mua gëzim i madh dhe ngushëllim, sepse i ke përforcuar zërat e shenjtorëve”(Fm 7). Sa zemra ngushëllojnë vullnetarët! Sa duar ndihmojnë; sa lot terin; sa dashuri ka në shërbimin  e fshehur, të përvuajtur, pa pikën e interesit! Ky shërbim i lavdërueshëm i jep zë fesë e shpreh mëshirën e Atit, që bëhet i afërt me të gjithë nevojtarët.
Ndjekja e Krishtit është angazhim serioz e njëkohësisht, i gëzueshëm; kërkon radikalitet e guxim për ta njohur Mësuesin Hyjnor në më të varfërin e për t’u vënë në shërbim të Tij. Prandaj vullentarët, që u shërbejnë të fundmëve e nevojtarëve për dashuri të Krishtit, nuk presin kurrfarë falënderimi, kurrfarë shpërblimi, por heqin dorë nga të gjitha këto, sepse kanë zbuluar dashurinë e vërtetë. Ashtu si Zoti erdhi tek unë e u përkul mbi mua në çastin e nevojës, ashtu edhe unë shkoj tek Ai e përkulem mbi ata, që e kanë humbur fenë ose jetojnë sikur të mos kishte Zot, mbi të rinjtë pa vlera e ideale, mbi familjet në krizë, mbi të sëmurët, mbi të burgosurit, mbi refugjatët, mbi emigrantët, mbi të ligshtit e të pambrojturit   në korp e në shpirt, mbi të miturit e të lënët në mëshirën e vetvetes, ashtu si mbi pleqtë e braktisur. Kudo shtrihet një dorë, që kërkon ndihmë për t’u ngritur përsëri në këmbë, atje duhet të jetë edhe prania jonë e prania e Kishës, që mbështet e jep shpresë!
Nënë Tereza, në gjithë jetën e saj, qe bujare e shpërndarëse  e mëshirës hyjnore, duke qenë gjithnjë e gatshme për të gjithë, përmes mirëpritjes e mbrojtjes së jetës njerëzore, jetës së braktisur e  të flakur tutje. U angazhua në mbrojtje të jetës, duke theksuar vazhdimisht se “kush nuk ka lindur akoma, është më i ligshti, më i vogli, më i mjeri” e duke ua njohur dinjitetin, që ua jep vetë Zoti; e ngriti zërin aq, sa të dëgjohej nga të pushtetshmit e tokës, që t’i pranonin fajet përballë krimit të varfërisë së krijuar prej tyre. Mëshira për të ishte “kripë” që i jepte shije çdo vepre, ishte “dritë”, që ndriçonte errësirën e njerëzve, të cilët nuk kishin më as lot për të qarë mbi varfërinë e tyre, mbi vuajtjen e tyre.
Misioni i saj në rrethinat e qyteteve e në periferitë ekzistenciale, mbetet, në ditët tona, dëshmi që flet vetë për afërsinë e Zotit pranë të varfërve më të varfër. Sot po ia dorëzoj këtë figurë simbolike gruaje e rregulltareje mbarë botës së vullnetariatit; le të jetë Ajo modeli juaj i shenjtërisë! Kjo veprimtare e palodhur e mëshirës na ndihmoftë ta kuptojmë gjithnjë më mirë se i vetmi kriter i veprimtarisë është dashuria pa shpërblim, e lirë nga çdo ideologji e nga çdo lidhje, që u përket të gjithëve, pa dallim gjuhe, kulture, race, feje. Nënë Terezës i pëlqente të thoshte: “Ndoshta nuk e flas gjuhën e tyre, por mund t’u buzëqesh”. Ta mbajmë në zemër buzëqeshjen e saj e t’ua dhurojmë atyre, që takojmë në udhën tonë, posaçërisht njerëzve, që vuajnë. Do të hapim, kështu, horizontet e gëzimit e të shpresës për mbarë njerëzimin, që e ka humbur besimin e ka shumë nevojë për mirëkuptim e dhembshuri!

* Homelia (tekst i plotë) në ceremoninë e Shenjtërimit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Po ndodh

Këlliçi: Përmes Roni Yeffet, ushtria shqiptare furnizohet me teknologji dhe pajisje kineze

Këlliçi: Përmes Roni Yeffet, ushtria shqiptare furnizohet me teknologji dhe pajisje kineze

15/09/2026
Parkimi në Durrës, deri në 17,600 lekë në muaj për ata që punojnë në qendër

Parkimi në Durrës, deri në 17,600 lekë në muaj për ata që punojnë në qendër

15/09/2026
Kongresi amerikan, shqetësim për trafikun e drogës në Shqipëri: Qeveria ka nxitur krijimin e rrjeteve

Kongresi amerikan, shqetësim për trafikun e drogës në Shqipëri: Qeveria ka nxitur krijimin e rrjeteve

15/09/2026
DITA 108/ “Nuk shitet Shqipëria, shitet qeveria”, “Arrestoni Ramën”

DITA 108/ “Nuk shitet Shqipëria, shitet qeveria”, “Arrestoni Ramën”

15/09/2026

Droni.al

DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve.
Lajmi i fundit nga Shqiperia. Vetem lajmet qe duhen

Follow Us

Sipas Kategorise

  • #GJEJPUNE
  • AI
  • Dosje
  • Ekonomia
  • FACT&FAKE
  • Foto Smart
  • Gjej Pune
  • Kronika
  • Kryesore
  • Kulture
  • Opinion
  • Politika
  • pondodh
  • Rajoni
  • Roze
  • speciale
  • Sport
  • Telegram
  • Video
  • web tv
  • xx

Te fundit

Këlliçi: Përmes Roni Yeffet, ushtria shqiptare furnizohet me teknologji dhe pajisje kineze

Këlliçi: Përmes Roni Yeffet, ushtria shqiptare furnizohet me teknologji dhe pajisje kineze

15/09/2026
Parkimi në Durrës, deri në 17,600 lekë në muaj për ata që punojnë në qendër

Parkimi në Durrës, deri në 17,600 lekë në muaj për ata që punojnë në qendër

15/09/2026
Kongresi amerikan, shqetësim për trafikun e drogës në Shqipëri: Qeveria ka nxitur krijimin e rrjeteve

Kongresi amerikan, shqetësim për trafikun e drogës në Shqipëri: Qeveria ka nxitur krijimin e rrjeteve

15/09/2026
  • Advertisement
  • POLITIKA E PRIVATËSISË
  • Procedura e ankesës
  • Politika e privatësisë
  • Kodi i Etikës

© 2026 Droni.al - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

No Result
View All Result
  • AI Assisted News
  • Home 1
  • Kodi i Etikës
  • News
  • POLITIKA E PRIVATËSISË
  • Politika e privatësisë
  • Procedura e ankesës

© 2026 Droni.al - Të gjitha të drejtat e rezervuara.