Kryetari i PD-së në Durrës, Adrian Gashi, ka kundërshtuar skemën e re të parkimit të Bashkisë së Durrësit, duke e cilësuar atë një kosto shtesë për qytetarët. Sipas tij, Bashkia po nis nga vendosja e tarifave, ndërsa ende nuk ka dhënë përgjigje për kapacitetet reale dhe mënyrën e funksionimit të parkimit.
Gashi thotë se Durrësi ka nevojë për rregullimin e parkimit dhe krijimin e më shumë hapësirave për automjetet, por kundërshton mënyrën se si po zbatohet skema e re.
Sipas tij, parkimi në zonën A kushton 100 lekë në orë, ndërsa në zonën B 40 lekë në orë. Për një qytetar që punon në qendër dhe e parkon automjetin për 8 orë në ditë, kostoja mund të arrijë në rreth 17,600 lekë në muaj.
Gashi ngre gjithashtu shqetësimin për banorët e Durrësit, të cilët do të duhet të paguajnë 10,000 lekë në vit për Kartën e Rezidentit, e cila parashikohet vetëm për një automjet për familje. Sipas tij, pagesa e kësaj tarife nuk garanton një vend parkimi për banorët.
“Durrësi ka nevojë për rregull në parkim dhe më shumë hapësira për automjetet, por skema e re e Bashkisë po sjell një tjetër kosto për qytetarët pa u dhënë ende përgjigje disa çështjeve thelbësore.
Në zonën A parkimi do të kushtojë 100 lekë në orë dhe në zonën B 40 lekë. Për dikë që punon në qendër dhe parkon 8 orë në ditë, kostoja mund të arrijë në rreth 17,600 lekë në muaj. Një kosto që rëndon në xhepat e një familjeje në bazë mujore.
Edhe banorët do të duhet të paguajnë. Karta e Rezidentit kushton 10,000 lekë në vit dhe parashikohet vetëm për një automjet për familje. Por pagesa e kësaj tarife nuk do të thotë se banori ka një vend parkimi të garantuar. Atëherë, sa vende ka realisht për rezidentët dhe çfarë ndodh me familjet që kanë më shumë se një automjet?
Ndërkohë, në disa prej rrugëve ku po vendoset skema, ende nuk ka përfunduar as vijëzimi i vendeve të parkimit.
Nuk mund të fillosh nga tarifa dhe pastaj të mendosh për shërbimin. Përpara se qytetarëve t’u kërkohet të paguajnë, Bashkia duhet të bëjë transparente kapacitetet reale të parkimit, mënyrën e funksionimit të skemës dhe ku do të shkojnë të ardhurat e mbledhura.
Durrësi ka nevojë për më shumë vende parkimi dhe më pak kosto të reja për qytetarët.”a.b





