Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka akuzuar qeverinë shqiptare se ka dëmtuar standardet demokratike dhe se vendi është përballur me një rritje të ndikimit të krimit dhe korrupsionit.
Në fjalën e tij në Komitetin e Stabilizim-Asociimit Shqipëri–Bashkimi Europian, Këlliçi u ndal te bashkëpunimi rajonal, marrëdhëniet me vendet fqinje dhe zhvillimet politike në Shqipëri e rajon.
Këlliçi tha se bashkëpunimi rajonal nuk mund të jetë i qëndrueshëm nëse vendet kanë probleme me demokracinë dhe zgjedhjet e lira.
“Shqipëria për fatin tonë të keq është kampione në këto dy problematika”, deklaroi ai.
Sipas Këlliçit, zgjedhjet në Shqipëri janë kthyer në një fasadë ndërsa vota, sipas tij, ndikohet nga faktorë si grupet kriminale, blerja e votës dhe presioni mbi administratën.
“Sot ne kemi në krye të qeverisë jo vetëm një kryeministër dhe një qeveri të korruptuar por edhe të lidhur ngushtësisht me krimin e organizuar”, tha Këlliçi, duke shtuar se Shqipëria tashmë etiketohet si “narkoshtet” nga media ndërkombëtare.
Duke folur për marrëdhëniet me Serbinë, Këlliçi akuzoi kryeministrin Edi Rama se i trajton marrëdhëniet me Beogradin përmes marrëdhënieve personale me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.
Ai kritikoi gjithashtu qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës dhe përmendi nderimet që, sipas tij, iu bënë së fundmi Ratko Mlladiçit, si dhe deklaratat e ministres serbe Snežana Paunović lidhur me spastrimin etnik në Kosovë.
Këlliçi tha se mazhoranca socialiste më 17 shtator refuzoi sërish miratimin e një rezolute të përbashkët me PD-në që dënon gjenocidin serb në Kosovë. Sipas tij, kjo lidhet me marrëdhënien mes Ramës dhe Vuçiçit.
Ai kritikoi edhe nismën e “Ballkanit të Hapur”, duke argumentuar se ajo, sipas tij, favorizoi Serbinë dhe la në hije Kosovën, ndërsa e cilësoi si një lëvizje të udhëhequr nga protagonizmi personal i liderëve politikë.
“Këto lëvizje të shoqërisë nëse konsolidohen si kultura, do të sjellin llogaridhënie, përgjegjshmëri, transparencë”, u shpreh Këlliçi.
Në vijim, ai iu referua edhe protestave në Beograd dhe Tiranë, duke thënë se në Serbi protestat zgjatën rreth një vit e gjysmë dhe çuan në zgjedhje të reja, ndërsa në Tiranë, sipas tij, vijojnë prej 115 ditësh protesta të përditshme kundër qeverisë.a.b





