Bllokime të përkohshme do të ketë në autostradën Tiranë-Durrës gjatë dy netëve të ardhshme, për shkak të punimeve për zgjerimin e superstradës.
Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se, në kuadër të projektit “Zgjerimi i Superstradës Tiranë–Durrës (Faza III)”, do të kryhen punime për montimin e trarëve tërthorë në hapësirën e mesit të mbikalimit.
Sot, më 21 shtator, nga ora 23:00 deri në orën 05:00, do të bllokohet përkohësisht qarkullimi në drejtimin Tiranë–Durrës.
Trafiku do të devijohet nëpërmjet rampës në drejtim të Rinasit dhe më pas do të vijojë në rrugën dytësore, nga ku drejtuesit e mjeteve mund të rikthehen në superstradë nëpërmjet rrugës së Rinasit dhe rampës së saj në drejtim të Durrësit.
Për mjetet e rënda, veçanërisht kamionët, ARRSH rekomandon që devijimi të nisë që nga rrethrrotullimi i “Casa Italia”, për të shmangur përdorimin dhe dëmtimin e rampës provizore të Rinasit.
Ndërkohë, më 22 shtator, nga ora 23:00 deri në orën 05:00, do të bllokohet përkohësisht qarkullimi në drejtimin Durrës–Tiranë.
Në këtë rast, trafiku do të devijohet nëpërmjet mbikalimit Kashar–Thumanë dhe do të vijojë në rrugën dytësore në anën e majtë të superstradës, deri pas mbikalimit të Kasharit, ku do të rikthehet në autostradë në drejtim të Tiranës.
Mjetet që kanë destinacion Rinasin, Shkodrën dhe Kosovën do të sinjalizohen dhe orientohen që në mbikalimin e autostradës Kashar–Thumanë për të vijuar në drejtimet përkatëse.
Gjatë periudhave të bllokimit, trafiku do të devijohet në rrugët dytësore në të dyja anët e superstradës, në përputhje me sinjalistikën dhe masat e përcaktuara në Planin e Menaxhimit të Trafikut.
ARRSH u kërkon drejtuesve të mjeteve, bizneseve dhe banorëve të zonës mirëkuptimin dhe bashkëpunimin për kufizimet e përkohshme të qarkullimit.
Drejtuesve të mjeteve u rekomandohet të planifikojnë paraprakisht itinerarin dhe, sa të jetë e mundur, të shmangin qarkullimin në këtë segment gjatë orarit të punimeve.





