Hetimet për vrasjen e Ferdinant Hotit, 35-vjeçarit shqiptar që u gjet i pajetë më 8 shtator në lumin Tergola, në San Giorgio delle Pertiche të Italisë, po shqyrtojnë edhe një pistë të re, atë të një lidhjeje të mundshme me shpërndarjen e drogës.
Sipas raportimeve të mediave italiane, kjo hipotezë ka dalë në kuadër të hetimeve të karabinierëve të Miranos për një çështje tjetër, që lidhet me një operacion antidrogë ndaj një banori të Spinea-s. Hetuesit po verifikojnë nëse kjo çështje mund të ketë lidhje edhe me të shtënat e 1 korrikut në Mirano.
Operacioni antidrogë çoi në arrestimin e Eris Makajt dhe të dashurës së tij, Noemi Karibba. Të dy ndodhen në burgun e Padovës, me urdhër të gjyqtarit.
Makaj ishte prej kohësh nën vëzhgimin e policisë. Një kontroll i parë në apartamentin e tij në Spinea nuk kishte dhënë rezultate, por hetuesit dyshonin se ai mund të merrej me shpërndarjen e dozave të drogës, duke përdorur monopatinën për të shkuar pranë automjeteve të klientëve.
Për këtë arsye, karabinierët kryen një kontroll të dytë, këtë herë në banesën e të dashurës së tij në rrugën Don Minzoni në Mirano, me mbështetjen e njësisë kinologjike.
Gjatë kontrollit u sekuestruan rreth 800 gramë hashash, 200 gramë kokainë dhe 2 mijë euro cash.
Në kuadër të hetimeve është ngritur edhe dyshimi se Eris Makaj mund të jetë i afërm i Luigji Makajt, 44 vjeç, i arrestuar korrikun e kaluar në Mirano për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje, së bashku me bashkëqytetarin shqiptar Amiol Gjoka, 39 vjeç.
Në atë ngjarje, objektiv i të shtënave ishte një 25-vjeçar, i cili sipas hipotezës së hetuesve mund të ishte i përfshirë në rrjetin e shpërndarjes së drogës së Makajt dhe po përpiqej të shkëputej prej tij.
Për momentin, lidhja mes këtyre hetimeve dhe vrasjes së Ferdinant Hotit mbetet vetëm një hipotezë. Hetuesit po verifikojnë nëse 35-vjeçari shqiptar mund të ketë pasur ndonjë lidhje me aktivitetin e shpërndarjes së drogës apo me personat që janë nën hetim në çështjen tjetër.
Hoti u gjet i pajetë më 8 shtator në lumin Tergola, ndërsa hetimet për të zbardhur rrethanat e vdekjes dhe identifikuar autorët vijojnë.a.b



