Ekipi mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, duke bërë të ditur se do ta apelojë vendimin pranë Panelit të Apelit.
Përmes një deklarate zyrtare, avokati kryesor i Thaçit, Luka Mišetić, tha se mbrojtja do të kundërshtojë vendimin për shkak të gabimeve që, sipas saj, janë bërë në aspektin ligjor, faktik dhe procedural.
Mbrojtja ka ngritur gjithashtu pretendime për mungesë paanësie nga ana e trupit gjykues gjatë procesit. Sipas saj, anëtarët e trupit gjykues kanë kryer marrje në pyetje në një mënyrë që ka tejkaluar kufijtë e kërkimit neutral të së vërtetës dhe ka cenuar perceptimin e paanësisë së procesit.
Një prej çështjeve të ngritura nga mbrojtja lidhet me rastin e Behajdin Allaqit. Sipas avokatit Mišetić, trupi gjykues deklaroi publikisht në aktgjykim se Thaçi ishte i përfshirë në vrasjen e Allaqit, ndërkohë që më herët kishte urdhëruar që çështja dhe provat përkatëse të mbaheshin konfidenciale dhe të mos diskutoheshin publikisht.
Mbrojtja pretendon se konstatimet e fajësisë “tej dyshimit të arsyeshëm” janë mbështetur në prova të pamjaftueshme dhe të pakonfirmuara. Ajo thekson gjithashtu se Thaçi mohon kategorikisht çdo përfshirje në vrasje.
Ekipi ligjor ka paralajmëruar se do të kundërshtojë edhe shkeljet që, sipas tij, kanë cenuar të drejtën për një proces të rregullt gjyqësor, duke iu referuar Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutës së Kosovës.
DEKLARATA E PLOTË E PUBLIKUAR NGA AVOKATI LUKA MISHETIÇ/ Hashim Thaçi dëshiron të shprehë vlerësimin e tij më të sinqertë për mbështetjen e madhe që ai, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kanë marrë nga populli i Kosovës dhe në nivel ndërkombëtar, si dhe u bën thirrje qytetarëve të Kosovës të ruajnë qetësinë përballë padrejtësisë së djeshme.
Avokatët e z. Thaçi do ta apelojnë vendimin e djeshëm të Trupit Gjykues përpara Panelit të Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), duke pretenduar gabime të rënda ligjore dhe faktike që cenuan drejtësinë e procedurave.
Gjatë gjithë gjykimit, Mbrojtja ka ngritur në mënyrë të përsëritur shqetësime lidhur me drejtësinë procedurale, përfshirë fushatën e gjerë të marrjes në pyetje të kryer drejtpërdrejt nga anëtarët e Trupit Gjykues në një mënyrë që nuk krijonte pamjen e paanësisë. Mbrojtja mbron qëndrimin se ndërhyrjet gjyqësore kaluan kufirin e kërkimit neutral të së vërtetës, duke komprometuar pamjen e paanësisë që kërkohet sipas standardeve ndërkombëtare të drejtësisë. Kjo mungesë e paanësisë tani përshkon të gjithë vendimin e Trupit Gjykues.
Mbrojtja parashtron se konstatimet e Trupit Gjykues për fajësi ‘tej dyshimit të arsyeshëm’ bazohen në prova të pamjaftueshme dhe të pakonfirmuara. Për më tepër, Trupi Gjykues dje deklaroi publikisht se z. Thaçi ishte i përfshirë në vrasjen e Behajdin Allaqit, pasi më parë kishte urdhëruar të gjitha palët në çështje që të mos e diskutonin rastin e z. Allaqi në seancë publike në gjykatë, dhe pasi kishte urdhëruar që të gjitha provat lidhur me këtë rast të mbaheshin konfidenciale. Trupi Gjykues kështu e ka dënuar publikisht z. Thaçi për një vrasje, ndërkohë që provat mbi të cilat mbështeti këtë përfundim i mbajti të mbrojtura nga ekzaminimi publik. Z. Thaçi do ta mirëpriste një ekzaminim të tillë publik të provave. Mbrojtja do t’i apelojë vendimet e Trupit Gjykues për shkeljen e të drejtave të tij themelore për një proces të rregullt gjyqësor sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutës së Kosovës. Z. Thaçi mohon kategorikisht çdo përfshirje në vrasje.
Respektimi i standardeve rigoroze të drejtësisë procedurale është jetik për ruajtjen e besimit të publikut te institucionet ndërkombëtare penale. Mbrojtja do të dorëzojë zyrtarisht Njoftimin për Apelim për të korrigjuar këto gabime faktike, ligjore dhe procedurale përpara Panelit të Apelit.”




