Alket Rizai vijon të jetë në arrati për të katërtën ditë radhazi, pasi nuk u kthye në burgun e Domokosit pas përfundimit të lejes së tij, e cila skadoi mëngjesin e së hënës.
Sipas autoriteteve greke, i dënuari shqiptar dyshohet se është përfshirë në një incident me armë zjarri të ndodhur në orët e para të së dielës pranë një beach bari në Anavyssos. Forcat e Drejtorisë për Luftën kundër Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me policinë lokale, vijojnë kërkimet për lokalizimin dhe arrestimin e tij, por deri tani nuk kanë mundur ta gjejnë.
Ndërkohë, autoritetet greke po hetojnë edhe pistën se Rizai mund të ketë kaluar ilegalisht në Shqipëri. Sipas burimeve të policisë greke, sinjali i fundit i vendndodhjes së tij është regjistruar në veri të Greqisë, në një zonë pranë kufirit. Megjithatë, kjo mbetet një pistë hetimore dhe nuk është konfirmuar nga autoritetet.
Mediat greke raportojnë se gjatë incidentit në Anavyssos, Rizai dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në ajër. Ndaj tij janë ngritur akuza për armëmbajtje dhe përdorim të armës në rrethana të rënda, vepra që në Greqi konsiderohen krime të rënda.
Kjo situatë është krijuar pak kohë para përfundimit të dënimit të tij. Gjatë pesë viteve të fundit, Rizai kishte përfituar 16 leje daljeje nga burgu.
Në të njëjtën kohë, policia greke po kërkon edhe një shtetas afgan, i cili dyshohet se ka qëlluar dhe plagosur disa persona gjatë përplasjes me armë. Sipas hetuesve, ai kishte lidhje me biznesin pranë të cilit ndodhi incidenti.
Rizai është i njohur në Greqi për arratisjet e mëparshme nga burgu dhe për lidhjen e tij me të shumëkërkuarin Vasilis Paleokostas.m,k



