Qindra shqiptarë janë mbledhur në Hagë, pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Mbështetësit janë mbledhur nga Kosova dhe diaspora, në ditën kur pritet të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë për katër ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Protestuesit mbajnë në duar flamuj të UÇK-së dhe simbole shqiptare, ndërsa kanë shprehur mbështetjen e tyre për ish-krerët e UÇK-së.
Gjykata Speciale me seli në Hagë pritet të shpallë sot verdiktin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, gati gjashtë vjet pas arrestimit të tyre.
Seanca pritet të nisë në orën 10:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në disa sheshe të qyteteve të Kosovës, ku janë paralajmëruar edhe tubime.
Katër ish-drejtuesit e UÇK-së përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të dyshuara se janë kryer gjatë dhe pas luftës së Kosovës.
Prokuroria e Specializuar ka kërkuar dënime me nga 45 vjet burgim për secilin prej të akuzuarve, ndërsa mbrojtja ka kërkuar lirimin e tyre.a.b




