Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetin social X pas vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila la në fuqi masën e arrestit në burg për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
“Përsëri Tirana pa kokë dhe përsëri kryetari i zgjedhur e i pagëzuar rishtaz nga vetë Kushtetuesja si i vetmi në detyrë dhe i palëvizshëm nga detyra, nuk mund të lëvizë nga qelia ku mbahet pa gjyq!
Po, rregulli e do që vendimet e gjykatave të respektohen dhe unë i nështrohem gjithnjë këtij rregulli – madje as nuk i komentoj vendimet përpara formës së prerë.
Por, përtej faktit që kalvari i Erion Veliajt është unikal në historinë e Europës demokratike dhe gjithashtu faktit që ende nuk shihet gjëkundi prova e rrezikshmërisë ekstreme, e cila mund të arsyetojë kyçjen e pambarimtë në qeli të një të zgjedhuri nga populli, ka një të vërtetë tjetër të hidhur:
Askush s’po do t’ia dijë për koston përditë e më të lartë të të parit kryeqytet në botë, që prej thuajse dy vjetësh jeton me kokë të prerë dhe për haraçin që thuajse 1 milionë banorë duhet t’i paguajnë përditë këtij eksperimenti të paparë e të padëgjuar juridik, social dhe ekonomik.”
Gjykata e Lartë e rishqyrtoi çështjen e Veliajt pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të majit 2026. Kushtetuesja kishte konstatuar se Gjykata e Lartë nuk kishte arsyetuar përse arresti në burg ishte masa e vetme e përshtatshme dhe nëse ajo ishte proporcionale me funksionin e Veliajt si kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë u mblodh më 15 shtator në Dhomë Këshillimi dhe, pas shqyrtimit të çështjes, vendosi të lërë në fuqi vendimin nr. 13, datë 13 mars 2025, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në këtë mënyrë, vendimi i Gjykatës së Lartë nuk ndryshoi masën e sigurisë dhe Erion Veliaj do të vijojë të qëndrojë në burg.




