Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për përplasjen mbi pagat e gjyqtarëve, duke kundërshtuar rritjen e mëtejshme të pagës referuese dhe duke argumentuar se niveli i pagave të magjistratëve në Shqipëri është tashmë më i lartë se në disa vende të rajonit dhe të Bashkimit Europian.

Në një postim në rrjetin social X, Rama shkruan se një gjykatës fillestar në Shqipëri merr aktualisht rreth 500 euro më shumë në muaj se homologu i tij në Greqi. Sipas tij, me rritjen që kërkohet të zbatohet, diferenca do të shkonte në rreth 2 mijë euro në muaj ndaj gjyqtarit grek dhe rreth 3 mijë euro ndaj homologut në Malin e Zi. (pamfleti.net)
“Një gjykatës fillestar sot në Shqipëri merr 500 Euro pagë më të lartë se sa kolegu në Greqi dhe me vendimin e marrë vetë Zot vetë Shkop, paga duhet të rritet 2000 Euro më shumë në muaj se sa kolegu grek dhe 3000 Euro më shumë se sa kolegu në Malin e Zi…”, shkruan Rama.
Sipas tabelës së publikuar prej tij, paga mujore bruto e një gjyqtari të shkallës së parë në Shqipëri është aktualisht 3 241 euro, ndërsa me rritjen e re do të shkonte në 4 886 euro, ose rreth 51 për qind më shumë. Në të njëjtën tabelë, paga e paraqitur për Greqinë është 2 702 euro, ndërsa për Malin e Zi 1 998 euro.
Por debati për pagat e magjistratëve nuk lidhet me një rritje të vendosur vetëm nga gjyqtarët. Në vitin 2026, qeveria kishte indeksuar me 2.5 për qind pagën referuese bazë, duke e çuar atë në rreth 156 825 lekë.
Më pas, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 17 shkurtit 2026, i cili shfuqizoi formulën e përcaktuar me ndryshimet ligjore të vitit 2023 dhe detyroi Kuvendin të miratonte ndryshimet e nevojshme deri më 31 korrik 2026, KLGJ përcaktoi një pagë të re referuese.
KLGJ vendosi që nga 1 gushti 2026 paga bazë referuese e gjyqtarit të jetë 222 425 lekë, nga 156 800 lekë që ishte më parë, ndërsa kësaj shume i shtohet edhe shtesa prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit. Të njëjtën pagë referuese përcaktoi edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë për prokurorët.
Kjo vendimmarrje solli përplasjen aktuale mes institucioneve të drejtësisë dhe ekzekutivit, pasi pagat e muajit gusht u bllokuan në Thesar. Gjyqtarët dhe prokurorët e kundërshtuan këtë qëndrim dhe iu drejtuan gjykatave administrative, ndërsa Gjykata Administrative urdhëroi ekzekutimin e pagesave.
Rama këmbëngul se fondi për pagat duhet të miratohet nga Kuvendi dhe se ndryshimet nuk mund të realizohen duke kaluar drejtpërdrejt përmes Thesarit. Qeveria ka deklaruar se Kuvendi do të shprehet për këtë çështje më 17 shtator, në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkohë, KLGJ e ka argumentuar vendimin e saj me karakterin detyrues të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe ka përcaktuar gjithashtu kompensimin për periudhën nga 1 prilli 2023 deri më 31 korrik 2026.a.b




