Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e së shtunës në fshatin Urakë të Njësisë Administrative Rukaj, në Bashkinë Mat.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:10, kur persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip “Audi”, në pronësi të shtetases S. Ll., bashkëshortja e shtetasit A. Ll. Automjeti ishte i parkuar në oborrin e banesës.
Nga të shtënat janë shkaktuar vetëm dëme materiale në automjet. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe, në bashkëpunim me DVP Dibër, kanë ngritur pika kontrolli.
Gjatë kontrolleve të territorit, rreth 2 kilometra larg vendit ku ndodhi sulmi, në aksin rrugor Rrëshen-Burrel, policia ka gjetur një automjet tip “Golf V” të djegur.
Gjatë këqyrjes së automjetit, në brendësi të tij janë gjetur dy armë zjarri kallashnikov, të cilat ishin djegur pjesërisht. Armët janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Nga verifikimet rezultoi se “Golf V” ishte shpallur në kërkim nga DVP Elbasan më 31 korrik 2025, pasi pronari i automjetit, shtetasi K. R., banues në Përrenjas, kishte kallëzuar vjedhjen e tij.
Policia vijon kontrollet në zonën ku dyshohet se mund të kenë lëvizur autorët, ndërsa për zbardhjen e ngjarjes po bashkëpunohet edhe me DVP Tiranë, Lezhë dhe Kukës.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, sigurimin e provave dhe identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të dyshuar.a.b





