Protesta e 105-të kundër qeverisë së Edi Ramës është zhvilluar këtë mbrëmje para Kryeministrisë në Tiranë, ndërsa kësaj here protestuesve u është bashkuar edhe diaspora shqiptare.
Gjatë protestës, një qytetare shprehu revoltën ndaj qeverisë, duke kërkuar hetim nga drejtësia edhe për rastin e deputetes së Partisë Socialiste, Zegjine Caushi. Ajo iu referua apartamentit me vlerë 250 mijë euro, duke ngritur pikëpyetje mbi pasurinë dhe duke kërkuar që ligji të zbatohet njësoj për të gjithë.
“Prapa hekurave duhet të jenë ata që na kanë vjedhur, kanë mbi 30 vite. Si na dalka zonjusha Zegjine me një vit, një analfabete që më bën deputeten mua dhe na merr apartamentin 250 mijë euro… Ne punojmë një jetë dhe nuk marrim dot shtëpi. Ku është barazia këtu… Ligji duhet të funksionojë për këdo njësoj…”, tha qytetarja.
Ajo iu drejtua gjithashtu protestuesve dhe diasporës, duke bërë thirrje për bashkim dhe vazhdim të qëndresës deri në largimin e Edi Ramës.
“Na kanë thënë që jemi popull dele, por unë këtu shoh luan e luanesha. Ju këtu na ngjallët shpresën edhe ne që jemi larg. Ne jemi këtu që një ditë të kthehemi bashkë të gjithë… Mos u dorëzoni, mos e lejoni kriminelin të na copëtojë, të na shesë tokat, të na përçajë… Ne do jemi bashkë, do vijmë si uragan siç kemi ardhur gjithmonë. Do të bëjmë histori të gjithë bashkë”, u shpreh ajo.
Në vijim, qytetarja pati edhe një mesazh për kryeministren italiane Giorgia Meloni: “Je akoma e sigurt që vëllai jot Edi Rama është një djalë i mirë?”.
Në protestë foli edhe Akil Vigani, emigrant shqiptar që jeton në Luksemburg. Ai tha se Shqipëria është marrë peng nga krimi dhe u bëri thirrje shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit të kthehen dhe t’i bashkohen protestave.
“Unë vij nga Luksemburgu. Shqipërinë e ka marrë krimi, kjo duket ashiqare. Jam Akil Vigani, jam përfaqësues politik atje. Kam patur dy mandate atje për këshillin nacional të Luksemburgut. Ua bëftë zoti ar, kudo që shkelni.
Nëse nuk e shpëtoni, Shqipëri nuk do ketë më. Ata që janë larg Shqipërisë, hajdeni këtu dhe bashkohuni. Mjaft”, tha ai.
Ndërkohë, aktivisti nga Londra, Bledar Meti, deklaroi se protesta do të përshkallëzohet dhe se qëndrimi në shesh do të vijojë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.
Meti kërkoi krijimin e një qeverie tranzitore, e cila sipas tij duhet të përfaqësojë shqiptarët dhe të udhëhiqet nga parime patriotike. Ai kërkoi gjithashtu lista të hapura në zgjedhje, numërimin e votave nga qytetarët dhe kufizimin e mandateve të kryeministrit.
“Unë vij nga Londra. Do jemi me ju deri në rrëzimin e autoritarit Edi Rama. Boshti i protestës është antiestablishmenti. Ju prekët zemrat e shqiptarëve në diasporë. Ne duam që të krijohet një qeveri tranzitore, që të jetë qeveri e shqiptarëve, që të udhëhiqet me parime patriotike”, deklaroi Meti.
Ai tha se diaspora e ka gati një qeveri të përbërë nga “ajka e kombit” dhe u bëri thirrje protestuesve të qëndrojnë në shesh.
“Sonte nisim përshkallëzimin. Nuk do ketë marshim, por qëndrim në këtë shesh. Antishqiptari Edi Rama duhet të ikë. Hajde të qëndrojmë në shesh, rezistencë, revolucion deri në shporrjen nga zyra të Ramës”, u shpreh aktivisti.a.b





