Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është kthyer në Shqipëri pas vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mori pjesë në Konventën e Partisë Republikane në Teksas dhe zhvilloi një seri takimesh me përfaqësues të politikës amerikane.
Në një prononcim pas kthimit, Berisha e cilësoi udhëtimin në SHBA si “udhëtimin më ripërtëritës” të jetës së tij.
“Së pari një përshëndetje shumë të përzemërt për ju që jeni këtu, dhe për të gjithë shqiptarët. Po kthehemi nga një udhëtim që me siguri ju kërkoni nga unë ta vlerësoj. Ajo çka mund t’u them unë, se ky është udhëtimi më ripërtëritës i jetës time. Pra, ta quajmë ripërtëritje. Se aty jemi ne”, tha Berisha.
Berisha u shpreh se delegacioni shqiptar udhëtoi drejt SHBA-së me ftesë të Unionit Demokrat Ndërkombëtar (IDU), si dhe me ftesë të Institutit të Lidershipit Amerikan.
Duke folur për Konventën e Partisë Republikane në Teksas, Berisha e cilësoi atë si një prej aktiviteteve më madhështore politike që kishte parë.
“Ne shkuam në SHBA me ftesë të IDU si delegacion i Unionit Demokrat Ndërkombëtar, por dhe me ftesë direkt nga Instituti i Lidershipit Amerikan. Dhe duhet t’u them se përjetuam momente të papërsëritura”, deklaroi ai.
Berisha tha se gjatë konventës, në veçanti fjalimi i presidentit Donald Trump, kishte përcjellë mesazhe që sipas tij prekin edhe situatën politike në Shqipëri.
“Kjo konventë e shndërroi Teksasin në kryeqytetin politik të SHBA dhe aty organizimi i përsosur, fjalimet dhe në veçanti fjala e presidentit Donald Trump, e cila pa dyshim e ka trishtuar shumë kreun e narkoshtetit dhe nomenklaturën e tij, pasi ai në fjalën e tij në mënyrë të përsëritur citoi si dy rreziqet më të mëdha, si dy armiqtë më të mëdhenj të kombit amerikan, rrezikun komunist dhe rrezikun e narkotrafiqeve të drogës”, tha kryetari i PD-së.
Sipas Berishës, këto janë “dy shtylla mbi të cilat mbahet pushteti i Tiranës”.
Ai bëri të ditur gjithashtu se gjatë qëndrimit në SHBA ka zhvilluar, së bashku me Fatmir Mediun dhe bashkëpunëtorë të tjerë, takime me përfaqësues të Kongresit, Dhomës së Përfaqësuesve, Senatit dhe administratës së presidentit Trump.
“Por të themi realitetin, konventa ishte një rast që së bashku me zotin Mediu, edhe me bashkëpunëtorët e tjerë, kemi bërë një seri takimesh të shumta, intensive, me përfaqësues të shquar të Kongresit të SHBA, Dhomës së Përfaqësuesve, Senatit, administratës së presidentit Trump. Pra, thashë edhe njëherë, në këtë aspekt ky dimension mund të them se ishte një dimension ndër më të rëndësishmit”, u shpreh Berisha.m.k





