Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së dielës fshatin Kërvasari të Malishevës, ku një grua 25-vjeçare shtatzënë humbi jetën pasi u plagos me armë zjarri. Bashkëshorti i saj, 26 vjeç, mbeti gjithashtu i plagosur rëndë dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Ngjarja ndodhi rreth orës 23:20 të 23 gushtit. Pas njoftimit për të shtëna me armë zjarri, njësitë e Policisë së Kosovës shkuan në banesë, ku gjetën çiftin të plagosur në një dhomë gjumi.
Të dy u dërguan për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Gruaja, e cila sipas autoriteteve ishte në javën e 34-t të shtatzënisë, ndërroi jetë rreth orës 01:10, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve.
Bashkëshorti i saj është i intubuar dhe po mbahet në respirator, ndërsa gjendja e tij shëndetësore raportohet kritike dhe jo stabile.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë të ditur se bashkëshorti është personi i dyshuar për ngjarjen. Në vendin e krimit është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri që dyshohet se është përdorur në rast.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për autopsi.
Rasti po hetohet si “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Motivi dhe rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende të paqarta.






