Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar SPAK-un se funksionon si një hetuesi private e kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se institucioni po mbron krimet e qeverisë.
Berisha e bëri deklaratën para SPAK ndërsa ndodhej atje në respekt të detyrimit të paraqitjes ndërsa renditi arsyet se pse Kryeministri duhet pyetur e hetuar.
“A duhej thirrur Edi Rama për 50 dosjet e krimit elektoral?
Për dosje në të cilat ai është vetë në telefon, 339 dhe 184.
A duhej thirrur për 400 milionë euro të zhdukura për inceneratorët?
Asnjë nga djegësit, që shkojnë në total 400 milionë euro, nuk punon, nuk ekziston. Të gjitha me frmën e tij dhe Edi Rama vazhdon të vjedhë shqiptarët.
A duhej thirrur Edi Rama në këtë seksion të PS, për portet e Shqipërisë, për portet e Durrësit dhe portet e tjera që janë afera më e madhe e korrupsionit në Evropë, që shkojnë të paktën katër miliardë euro?
Por shkojnë edhe miliarda euro gjoba për shqiptarët në çmimet e të gjitha mallrave që blejnë, pasi gjer para pak vitesh, ata mallrat i merrnin nga portet e tyre, kurse sot paguajnë çmimin e transportit të mallrave nga portet e vendeve fqinjë.
Dhe kjo është një nga arsye se pse çmimet në Shqipëri rriten në mënyrë stratosferike.
Por përveç kësaj, për ndërtimin e portit në Porto Romano, shqiptarët duhet të paguajnë nga taksat e tyre 1.2 miliardë dollarë.
A duhej të pyetej Edi Rama nga skllevërit e tij në këtë institucion për rrugët që ndërtohen me çmime 6 deri në 10 herë më të larta se në Evropë?
A duhej të pyetej Edi Rama për gjobën prej 120 milionë euro që i bëri shqiptarëve me aferën Beketi?
A duhet të pyetet Edi Rama për kontratën me të cilën gjobit shqiptarët me 130 milpionë, dhe anulimi i së cilës do të kushtojë 700 milionë euro sepse Rama do të marrë aksionet e tij?
A duhet të pyetet Edi Rama për takimin në Aruba, në të cilin morën pjesë trafikantët, ndërtuesit, dhe morën pjesë të dërguarit e Edi Ramës, emrat e të cilëve i mbajnë sekret skllevërit e tij?
A duhej të pyetej Edi Rama për AKSHI-n, në të cilin familjarisht ka grabitur mbi 600 milionë euro?
A duhej të pyetej Edi Rama për rolin e Ergys Agasit, i cili është i filmuar dhe fotografuar në të gjitha format?
A duhej të pyetej Edi Rama për urdhrat që i ka dhënë Ermal Beqirit për operacionet më të ndyra ndaj shqiptarëve dhe të huajve në Shqipëri?
A duhej të pyetej Edi Rama për të gjitha portet dhe pronat e ushtrisë, të dhëna me firmën e tij jo të presidentit të Republikës, klientelës së tij?
A duhej të pyetej Edi Rama për IPARD-in? Mori këshilltare ministren e cila gjobiti fermerët shqiptarët me 130 milionë euro para të IPARD-it për shkak të vjedhjes së tyre.
A duhej të pyetej Edi Rama për KAYO-n e tij, në të cilin i jep kompanisë 40 milionë euro, blen makinat dhe ato makina i blen qeveria? A ndodh në botë një skemë e tillë vjedhje si këtu?”, tha Berisha.
Berisha u ndal edhe te pronat në Surrel, duke pretenduar se Rama duhet të ishte pyetur për tokën që, sipas deklarimeve të tij, është blerë si tokë arë me sipërfaqe 9 mijë metra katrorë. Berisha tha se dy prefektë, njëri i PD-së dhe tjetri i PS-së, kanë refuzuar të firmosin dokumentet, me argumentin se në një park kombëtar nuk ekziston koncepti i tokës arë.
“Parku kombëtar ka mbrojtje të plotë dhe asnjë metër katror nuk mund të shitet dhe të blihet si tokë arë”, deklaroi Berisha.
Më tej, ai ngriti pyetje për aferën e sterilizimit dhe PPP-të në shëndetësi, duke pretenduar se çmimi i sterilizimeve është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme.
“A është pyetur ndonjëherë Edi Rama për këtë?”, tha Berisha, duke iu referuar gjithashtu pretendimeve të tij për pagesa të kontrolleve shëndetësore për persona të vdekur dhe duke akuzuar biznesmenen Vilma Nushi për përfshirje në këtë skemë.
Berisha pretendoi gjithashtu se Rama duhej të ishte pyetur për 300 milionë euro të PPP-ve të shëndetësisë, si dhe për një pallat në Tiranë, të cilin e cilësoi si pallatin në pajë.
Në përfundim, kreu i PD-së e përqendroi akuzën e tij te SPAK-u, duke thënë se ky institucion nuk ka hetuar, sipas tij, çështjet që ai ngriti dhe se për këtë arsye funksionon si një strukturë nën kontrollin e kryeministrit.
“Unë solla këtu para shqiptarëve një pyetje për të kuptuar se ky organ është thjesht një hetuesi private e Edi Ramës, që komandohet prej tij dhe që funksionon në mburojë të krimeve monstruoze që Edi Rama kryen bashkë me suitën e tij të ngushtë”, deklaroi Berisha.a.b






