Një efektiv i Forcave të Armatosura është plagosur gjatë operacionit për shuarjen e zjarreve në territorin e Mirditës.
Ngjarja ka ndodhur gjatë furnizimit me ujë të një automjeti zjarrfikës. Në momentin e operacionit ka plasur tubi me diametër 120 milimetra, i pajisur me kokë metalike.
Për shkak të presionit, pjesa metalike e tubit është shkëputur dhe ka goditur efektivin A. K., duke i shkaktuar dëmtime.
Efektivi i plagosur është transportuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku po merr trajtim të specializuar.
Ministria e Mbrojtjes bëri me dije se efektivi po ndiqet nga mjeku neurokirurg dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Forcat e Armatosura janë angazhuar në mbështetje të ekipeve të emergjencave dhe zjarrfikësve në përballimin e situatës së zjarreve në Mirditë.m.k





