Kryetari i Bashkisë Mirditë, Alber Melyshi, e ka cilësuar situatën e krijuar nga zjarret në territorin e bashkisë si serioze dhe të rrezikshme. Sipas tij, në disa raste dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme, ndërsa u ka bërë thirrje autoriteteve të identifikojnë përgjegjësit dhe t’i vendosin përpara ligjit.
Melyshi tha se era e fortë ka favorizuar përhapjen e flakëve, ndërsa disa familje që jetojnë në zona të shpërndara pyjore kanë qenë në vështirësi për shkak të terrenit.
“Sot është ndër situatat më të rrezikshme që mund të kemi pasur në bashkinë Mirditë sepse u favorizua nga era. Kishim shumë familje që ishin në zona të shpërndara pyjore dhe që ishte vështirë për të ndërhyrë, por fatmirësisht deri tani nuk kemi dëme në banesa, as në jetë njerëzish.”
Kreu i bashkisë bëri të ditur se në dy lagje janë evakuuar banorë, ndërsa situata vijon të mbetet e vështirë.
Sipas Melyshit, fakti që në të njëjtën zonë janë ndërhyrë disa herë brenda një jave ngre dyshime për zjarrvënie të qëllimshme.
“Duket se në disa raste janë zjarrvënie të qëllimshme, sepse në këtë zonë kemi ndërhyrë 6 herë brenda 1 jave. Kemi shuar zjarret dhe sërish ndizen. Këtu ka një dorë që kërkon të djegë pyjet.”
Ai kërkoi që autoritetet të marrin masa ndaj personave që shkaktojnë zjarre dhe rrezikojnë jetën e banorëve dhe pronat e tyre.
Melyshi tha se po punohet për të penguar përparimin e flakëve nga fshati Tenë drejt Malajt. Sipas tij, banesat në Tenë janë të shpërndara dhe kjo e vështirëson ndërhyrjen. Ndërkohë, të moshuarit dhe fëmijët janë larguar nga zonat e rrezikuara, ndërsa banorë të tjerë po ndihmojnë në përballimin e situatës.
Edhe Dom Gjergj Meta shprehu shqetësimin për përmasat e zjarreve, duke vënë theksin te dyshimet për ndërhyrjen e qëllimshme të njeriut.
“Situata është mjaft shqetësuese. Më shqetësuese është fakti se është dora e njeriut. Njerëzit vendosin zjarrin, dëmtojnë pyjet dhe janë në rrezik të dëmtojnë dhe banesat e tyre.”
Dom Gjergj Meta u bëri thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm dhe të mos dëmtojnë natyrën, ndërsa situata në Mirditë vijon të mbetet nën monitorim.a.b





