Sekretari për Çështjet Vendore në PD, Ylli Asllani, ka prezantuar propozimin e Partisë Demokratike për një model të ri metropolitan për Tiranën, me fokus te decentralizimi dhe forcimi i demokracisë lokale.
Platforma parashikon krijimin e pesë bashkive të reja funksionale: Kashari, Petrela, Dajti, Ndroqi dhe Arbana, krahas Bashkisë së Tiranës, si dhe njësi administrative të zgjedhura me kompetenca dhe buxhete të deleguara.
Sipas Asllanit, funksionet strategjike duhet të menaxhohen në nivel metropolitan, ndërsa shërbimet dhe investimet lokale duhet të vendosen më pranë qytetarëve.
Oferta e re e PD-së: decentralizimi i Tiranës
Partia Demokratike propozon decentralizimin e Tiranës brenda një sistemi të integruar metropolitan.
Ky model mbështetet në katër elementë:
• Një metropol të integruar, ku Tirana mbetet kryeqytet dhe qendër e përbashkët strategjike;
• Bashkinë e Tiranës dhe pesë bashki të reja funksionale: Kashari, Petrela, Dajti, Ndroqi dhe Arbana;
• Njësi administrative të zgjedhura, me përfaqësim dhe përgjegjësi më pranë komuniteteve;
• Institucione të përbashkëta metropolitanë për funksionet që kërkojnë koordinim dhe ekonomi shkalle.
Pra, nuk propozohet ndarja e Tiranës në kuptimin e fragmentimit të saj. Përkundrazi, propozohet një Tiranë e integruar, por e decentralizuar.
Funksionet që kërkojnë një vizion të përbashkët duhet të mbeten metropolitanë: transporti, planifikimi strategjik, infrastruktura kryesore, zhvillimi ekonomik, mjedisi, emergjencat dhe projektet me ndikim ndërbashkiak.
Ndërsa funksionet që lidhen drejtpërdrejt me jetën e përditshme duhet të vendosen sa më pranë qytetarit: mirëmbajtja lokale, hapësirat publike, shërbimet komunitare, investimet lokale, administrimi i territorit dhe përcaktimi i prioriteteve të komuniteteve.
Aty ku kërkohet integrim, Tirana duhet të jetë e unifikuar. Aty ku kërkohet afërsi me qytetarin, Tirana duhet të jetë e decentralizuar.
Ky është thelbi i modelit policentrik.
Nga zyrat administrative te demokracia e zgjedhur
Një nga problemet kryesore të modelit aktual nuk është mungesa e zyrave administrative. Problemi është mungesa e përfaqësuesve të zgjedhur të territorit dhe vendimmarrjes pranë qytetarit.
Para vitit 2014, territori i Tiranës përfshinte 22 njësi vendore, ndërsa sot administrimi realizohet përmes një strukture më të gjerë njësish administrative, por pa të njëjtin nivel të drejtpërdrejtë të vetëqeverisjes politike.
Prandaj propozimi për Kasharin, Dajtin, Petrelën, Ndroqin dhe Arbanën duhet parë jo si “ndarje e Tiranës”, por si rikthim i qeverisjes së zgjedhur pranë territoreve që sot administrohen nga një qendër e vetme.
Qytetarit nuk i thuhet: “Po të krijojmë një zyrë tjetër”.
I thuhet: “Po të japim mundësinë të zgjedhësh përfaqësuesit e territorit ku jeton.”
Kjo është arsyeja pse reforma nuk duhet të jetë vetëm territoriale. Ajo duhet të jetë edhe reformë e demokracisë lokale.
Njësitë administrative të zgjedhura duhet të kenë përfaqësues të zgjedhur, buxhet të deleguar, kompetenca të përcaktuara, të drejtë propozimi për investime dhe mekanizma të qartë konsultimi e llogaridhënieje.
Tirana policentrike
Rritja e Tiranës nuk mund të vazhdojë vetëm në formën e zgjerimit koncentrik rreth një qendre të vetme.
Kryeqyteti ka nevojë për disa qendra urbane, administrative dhe ekonomike, të lidhura me njëra-tjetrën dhe me metropolin.
Kashari, Dajti, Petrela, Ndroqi, Arbana dhe territore të tjera mund të zhvillojnë funksionet e tyre, duke ruajtur lidhjen ekonomike, infrastrukturore dhe funksionale me Tiranën.
Kjo nuk është një kthim nostalgjik te modeli i vitit 2013. Është një përpjekje për të ndërtuar një model të ri, të përshtatur me madhësinë, kompleksitetin dhe rolin metropolitan të Tiranës në vitin 2026.
Pra, oferta është e qartë:
Një metropol.
Disa bashki funksionale.
Njësi administrative të zgjedhura.
Një sistem i përbashkët metropolitan.
Vendimmarrje më pranë qytetarit.





