Në Rinas, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, u bë arrestimi provizor me qëllim ekstradimi i shtetasit B. B., 43 vjeç, lindur në Gjakovë dhe banues në Amsterdam.
Autoritetet spanjolle e kanë shpallur në kërkim për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”. Në korrik 2026, Gjykata Qendrore e Instruksionit pranë Audiencës Kombëtare të Madridit kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Sipas hetimeve të Policisë Gjyqësore Spanjolle, ai dyshohet se ishte i përfshirë në aktivitetin e një organizate kriminale që merrej me trafikimin e kokainës, kryesisht në zonën e Costa del Sol.
Ndërkohë, në Rumani, autoritetet vendase kanë arrestuar me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë shtetasin A. H., 49 vjeç, lindur në Tiranë.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi GJKKO, në prill 2018, kishte caktuar ndaj tij masën “Arrest me burg” për një sërë veprash penale, mes tyre vrasje me paramendim, armëmbajtje pa leje, prodhim dhe shitje narkotikësh dhe grup i strukturuar kriminal.
Sipas hetimeve, më 29 janar 2018, në rrugën “Kongresi i Manastirit” në Tiranë, A. H., në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri shtetasin D. K.
Gjatë kontrolleve në banesat e personave të dyshuar, Policia kishte sekuestruar 9 armë zjarri, 130 kilogramë kanabis dhe një numër të konsiderueshëm bimësh narkotike.
Në një tjetër rast, Interpol Tirana ka përfunduar ekstradimin nga Londra drejt Shqipërisë të shtetasit Xh. H., 31 vjeç, lindur në Berat.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi GJKKO, në prill 2024, i kishte caktuar masën “Arrest me burg” për veprat penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.
Xh. H. dyshohet se, në bashkëpunim me persona të tjerë, ishte përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike, në kuadër të një aktiviteti kriminal të goditur në nëntor 2022 në fshatin Drenovicë të Beratit.





