Nga Golaj në Perollaj, Vlahën e Nikoliq e deri në Zarishtë monitorimet mjedisore evidentojnë praninë e metaleve të rënda në dhera, sedimente dhe ujëra kur ato janë pranë minierave apo ish fabrikave të pasurimit, tashmë të mbyllura. Qindra mijëra ton mbetje të industrisë minerare vazhdojnë të qëndrojnë pranë zonave të banuara dhe burimeve ujore, ndërsa institucionet po përballen me kërkesën për një sistem më të plotë monitorimi, transparence dhe rehabilitimi të zonave postminerare.
Hasi është një nga zonat e Shqipërisë ku pasuria minerare ka ndikuar fort në ekonominë dhe zhvillimin e territorit, por ka lënë pas edhe një trashëgimi mjedisore që vazhdon të kërkojë zgjidhje. Kromi, bakri, hekur-nikeli dhe nikel-silikatet kanë qenë dhe mbeten pjesë e rëndësishme e aktivitetit minerar të zonës. Sot në territorin e Bashkisë Has operojnë 22 subjekte minerare, 17 prej tyre me leje për krom, tre për Fe-Ni dhe Ni-Si dhe dy për gëlqerorë.
Por krahas aktivitetit aktual, problemi më kompleks lidhet me atë që industria e dekadave të mëparshme ka lënë pas.
Në Golaj, ish-fabrika e pasurimit të bakrit, e mbyllur në vitin 1994, ka lënë dy dampa me qinfra mijëra ton sterile. Në Perollaj, impianti i pasurimit të kromit u mbyll në vitin 2018, duke lënë pas një tjetër masë të konsiderueshme mbetjesh minerare. Materialet e monitorimit flasin për rreth 320–350 mijë ton mbetje në Golaj dhe rreth 200 mijë ton në Perollaj.
Çështja nuk është vetëm ekzistenca e këtyre mbetjeve, por çfarë ndodh me to me kalimin e viteve: degradimi i shtresave izoluese, qarkullimi i ujërave, erozioni dhe afërsia me rezervuarët, përrenjtë, tokat bujqësore dhe zonat e banuara.

Analizat tregojnë praninë e metaleve të rënda
Për të kuptuar përmasën e problemit, Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë (qTIL), në kuadër të projektit GreenAL, të mbështetur nga qeveria suedeze, ka zhvilluar një monitorim të tokës, sedimenteve dhe ujërave në disa zona minerare dhe postminerare të Hasit.
Nga maji 2025 deri në prill 2026 janë kryer tri seri analizash në ujë, dhera dhe sedimente. Vetëm në dampat dhe rezervuarin e Golaj janë realizuar 12 analiza, në periudha të thata dhe pas reshjeve, ndërsa monitorimi është shtrirë edhe në Nikoliq, Plan, Vlahën, Perollaj dhe Zarishtë. Për kampionet e ujit janë matur 12 parametra fiziko-kimikë dhe 15 metale të rënda, ndërsa për dherat dhe sedimentet janë analizuar nëntë parametra fiziko-kimikë dhe 15 metale të renda. Kampionet u morën në terren nga ekspertë kimistë ndërsa analizat u kryen në një laborator modern të akredituar edhe për analizat e metaleve të rënda.

Ekspertet e projektit dhe laboratorit
Rezultatet më problematike shfaqen në disa pika.
Në dampën e Golaj, arseniku është matur në 72.45 mg/kg, mbi kufirin e ndërhyrjes prej 55 mg/kg të përdorur si referencë në analizë. Bakri ka arritur në 642.75 mg/kg, kundrejt kufirit të ndërhyrjes prej 190 mg/kg. Edhe kobalti, kromi dhe nikeli rezultojnë mbi vlerat target.
Situata fizike e dampave shton shqetësimin. Në dampën 1 janë konstatuar dëmtime të shtresës konservuese dhe rrëke uji kalojnë mbi sipërfaqe, duke tërhequr sterile në drejtim të rezervuarit kur ka reshje. Në dampën 2 është dëmtuar sipërfaqja izoluese dhe një segment rreth katër metra i digës mbajtëse rezulton i shembur.
Rezervuari pranë Golaj është një tjetër pikë që kërkon vëmendje. Analizat kanë evidentuar përmbajtje mbi normat të hekurit dhe aluminit, turbullirë të theksuar dhe oksigjen të tretur nën normë. Në sediment janë evidentuar bakër, nikel dhe krom mbi vlerat e përdorura si referencë. Rezervuari përdoret nga bagëtitë për të shuar etjen dhe nga banorët afër për punë bujqësore.

Analizat ne rezervuarin e Gjeologjise, Golaj
Kjo e zhvendos çështjen nga një problem i izoluar i një ish-fabrike drejt një pyetjeje më të gjerë: a mund të lëvizin ndotësit nga venddepozitimet drejt sistemit ujor dhe territorit përreth?
Monitorimi tregon se kjo është një mundësi që nuk mund të neglizhohet dhe kërkon kontroll sistematik.

Perollaj, Vlahën dhe Nikoliq: problemi shtrihet përtej Golaj
Në Perollaj, analizat e dampës së ish-uzinës së kromit kanë evidentuar një nivel veçanërisht të lartë nikeli, 1488.9 mg/kg, ndërsa bakri është matur në 236.3 mg/kg. Kobalti dhe kromi rezultojnë gjithashtu mbi vlerat target. Këto janë shifra normale por sterilet e dampës. Por në analizat e lryera pas reshjeve, në ujin e rezervuarit të Perollajt është konstatuar përmbajtje e lartë nikeli, ndërsa sedimenti paraqet nivele të larta nikeli dhe kromi.

Në Vlahën, nikeli në dherat e venddepozitimeve të mineralit të kromit, është matur në 1276.9 mg/kg, më shumë se gjashtë herë kufiri i ndërhyrjes prej 210 mg/kg i përdorur si referencë nga monitorimi. Edhe kobalti është mbi vlerën target, ndërsa analizat e sedimentit në ujërta që qarkullojnë në zonën e shfrytëzimit minerar dhe më pas furnizojnë një rezervuar të madh janë evidentuar nikel dhe krom mbi standardet e referencës.
Edhe më problematike janë disa prej gjetjeve në venddepozitimet e vjetra të mineraleve.
Në Nikoliq, në një venddepozitim të vjetër minerali, edhe pse kanë kaluar afro 30 vite nga mbyllja e shfrytëzimit minerar, arseniku ka rezultuar 39.793 mg/kg, ndërsa bakri arrin në 1975.694 mg/kg, një nivel shumë i lartë krahasuar me standardet evropiane për tokat bujqësore të cituara në analizë, theksohet në raportin e analizave të Qendrës për Trasparencë dhe Informim të Lirë.
Këto të dhëna tregojnë se çështja e ndotjes minerare në Has nuk mund të reduktohet vetëm te dampat e mëdha. Venddepozitimet e vjetra, galeritë e mbyllura dhe zonat ku minerali është grumbulluar apo përpunuar në të kaluarën mund të kërkojnë po aq vëmendje.
Një boshllëk në politikat e menaxhimit të mbetjeve
Një nga problemet e ngritura nga monitorimi është mënyra se si mbetjet minerare dhe zonat postminerare përfshihen në sistemin kombëtar të menaxhimit të mbetjeve.
Dampat minerare të Hasit janë identifikuar më parë si zona me rrezik mjedisor në dokumente të vlerësimit të riskut, ndërsa qTIL ka kërkuar përfshirjen më të qartë të tyre në Strategjinë dhe Planin Kombëtar të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve 2020-2035.
Gjatë takimeve me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, organizata ka propozuar ndryshime në udhëzimet që rregullojnë monitorimin minerar dhe postminerar, përshtatjen e tyre me Konventën e Aarhus-it, si dhe krijimin e një regjistri kombëtar të dampave. Gjithashtu është kërkuar ndërhyrje urgjente në Golaj, monitorim në Vlahën dhe Perollaj dhe pastrimi i venddepozitimeve të vjetra në Nikoliq.
Problematika është diskutuar edhe me Agjencinë Kombëtare të Mjedisit. Në takimin e zhvilluar në mars 2026, përfaqësuesve të AKM-së iu paraqitën rezultatet e monitorimit dhe raportet e analizave. Mes çështjeve të ngritura ishte edhe nevoja për përcaktimin e kufijve kombëtarë të lejuar të pranisë së metaleve të rënda në dhera, si në tokat bujqësore ashtu edhe në zonat e banuara pranë industrisë minerare.
Një zhvillim i rëndësishëm erdhi në fund të korrikut.
Në përgjigjen e saj ndaj interesit të qTIL, më 29 korrik 2026 Ministria e Mjedisit njoftoi se rishikimi i Strategjisë dhe Planit Kombëtar të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve 2020–2035 është planifikuar të kryhet brenda vitit 2026. Ministria bëri të ditur se informacioni, analizat dhe rekomandimet e qTIL do të shqyrtohen gjatë këtij procesi së bashku me kontributet e institucioneve dhe aktorëve të tjerë.
Kjo krijon një mundësi konkrete që gjetjet e monitorimit të mos mbeten vetëm në nivel raportesh, por të reflektohen në politikat kombëtare.
Nga analizat te ndërhyrja
Monitorimi ka nxitur edhe debat lokal. Në tryezën e organizuar në Has nga qTIL, Bashkia Has dhe organizatat partnere të projektit, përfaqësues të pushtetit vendor, shoqërisë civile dhe komunitetit diskutuan nevojën për rehabilitimin e zonave të ndotura dhe forcimin e rolit të institucioneve vendore.

Kryetari i Bashkisë Has, Miftar Dauti, kërkoi më shumë kompetenca të bashkisë mbi territorin. Drejtori i qTIL, Sami Nezaj, ngriti nevojën për bashkëpunim më të madh institucional dhe transparencë mbi garancitë mjedisore, ndërsa eksperti kimist Sokol Abazi e cilësoi monitorimin si një pikënisje për një proces më të gjerë të trajtimit të ndotjes minerare.
Drejtori i projektit GreenAl, Imeldi Sokoli tha se qëllimi i projektit në Has por edhe në zona të tjera është evidentimi jo vetëm i ndotjes por edhe i kapaciteteve vendore për t’u përfshirë në inisiativa që mbrojnë mjedisin.
Drejtorja e qendrës Fol, Anila Hoxha konstatoi se fushatat mediatike në mbrojtje të mjedisit kanë dhënë efekt dhe se kujdesi për mjedisin është përgjëgjësi e cdo qytetari.
Sokol Dida, kryeplak i fshatit Krumë tha se ishte e nevojshme që monitorimi të përfshijë edhe disa blloqe banimi në Krumë që janë shumë afër vendepozitimit të Fe-Ni dhe ndërkohë vuajnë edhe paosjat e ndotjes së përroit që vjen nga Cahani. Edhe kryetari i bashkisë së Hasit, zoti Dauti kërkoi që monitorimi të vijonte edhe në disa zona të tjera mineralmbajtëse në Has.
Sami Gjoni, veteriner kërkoi të eksploheshin menyra se si ndotja të reduktohej për të shmangur problemet që mund të shkaktoheshin edhe tek fermat, qoftë edhe të vogla të banorëve që banojnë afër zonave të shfrytëzimit minerar.
Projekti ka përfshirë edhe nxënësit e shkollave të Golaj dhe Krumës, të cilëve u janë prezantuar rezultatet e analizave dhe mënyrat e aktivizmit mjedisor. Qëllimi është që monitorimi të mos mbetet një proces teknik mes laboratorëve dhe institucioneve, por të krijojë një kulturë lokale të mbikëqyrjes së mjedisit.
Nxënësja e gjimnazit të Golaj, Albana Ukaj tha se orët edukuese për mjedisin zhvilluar nga projekti ishin një ndihmë për të sensibilizuar edhe nxënësit në lidhje me ruajtjen e pastër të mjedisit.
Cfarë pritet nga institucionet
Rekomandimet e dala nga procesi i monitorimit ndahen mes institucioneve. Bashkisë së Hasit i propozohet krijimi i një skeme të qëndrueshme monitorimi të dampave dhe zonave minerare përmes pasurimit të organigramës së bashkisë edhe me një monitorues mjedisi, një fond për aksione mjedisore dhe tërheqja e rentës minerare.
AKBN-së i kërkohet konsolidimi i regjistrit kombëtar të dampave, përmirësimi i udhëzuesve të monitorimit, transparenca e garancive mjedisore dhe një mekanizëm konsultimi me bashkitë. Ministrisë së Mjedisit i rekomandohet që gjetjet nga terreni dhe informacioni i shoqërisë civile të përfshihen në rishikimin e strategjisë kombëtare të mbetjeve.
Pas dekadash shfrytëzimi minerar, sfida e Hasit nuk është të zgjedhë mes ekonomisë dhe mjedisit. Sfida është të ndërtojë një model ku pasuria e nëntokës të mos prodhojë një faturë mjedisore që mbetet mbi tokë për breza.
Analizat tashmë kanë identifikuar disa nga pikat problematike. Institucionet janë njohur me rezultatet. Ministria ka hapur procesin e rishikimit të dokumentit strategjik.
Hapi tjetër është kalimi nga evidentimi te ndërhyrja. Bashkia e Hasit nuk vonoi të reflektonte ndjeshmërinë e këtij institucioni ndaj mjedisit. Më 10-11 qershor për 2 ditë rresht qindra banorë të Hasit u ftuan nga bashkia për pastrim territori. Aktiviteti u organizua nga bashkia në bashkëpunim me ‘Diasporën hasjane”. Alb EITI ka përshirë në draftraportin vjetor një hapësirë më të madhe për mjedisin ndërsa AKBN pritet të aendojë udhëzimet duke krijuar një sistem informimi të ndërsjellë mes këtij institucioni dhe komuniteteve në zonat minerare. Miniera e kromit në Vlahën rrethoi një venddepozitim minerali në afërsi të një zone banimi ndërsa bluzat e veshura nga nxënës shkollash ku shkruhej ‘GreenHas’ qarkulluan në të gjitha zonat problematike duke inkurajuar ngitjen e zërit dhe shtuar vëmendjen për mjedisin.
Projekti GreenAL “Mbështetja e Organizatave të Shoqërisë Civile 2024 – 2027”, financohet nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim (Sida) me fondet e Qeverisë Suedeze dhe zbatohet nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit në bashkëpunim me VIS Albania dhe COSV – Cooperazione per lo Sviluppo. Pikëpamjet dhe përfundimet e përfshira këtu nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë Suedeze ose të Sida-s, Agjencisë Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim për Zhvillim (Sida).





