Protesta kundër qeverisë para godinës së Kryeministrisë ka vijuar edhe këtë të martë, duke shënuar ditën e 66-të radhazi. Gjatë tubimit, protestuesit mbajtën fjalime me tone kritike dhe ironike, duke adresuar akuza ndaj qeverisë, SPAK-ut dhe figurave të politikës.
Një prej protestuesve u ndal te çështja e check-up-it dhe vendimi i fundit i GJKKO-së për ish-ministrin Ilir Beqaj, duke deklaruar:
“Arrestoni Ramën, arrestoni Ballukun. Dua të ndalem te vjedhja e 8.5 milionë eurove të check-up-it, ku Ilir Beqaj me Vilma Nushin e bënë ‘ketchup’. Për këtë çështje, Ilir Beqaj u la nga GJKKO në arrest shtëpie, ndërsa në arrest shtëpie është edhe shoku ynë Everest Bardhi, për një kokërr vezë.”
Në vijim të fjalës së tij, ai përmendi edhe rastin e biznesmenit Ermal Beqiri, duke ironizuar pasuritë që, sipas hetimeve të SPAK-ut, dyshohet se janë përfituar nga tenderët publikë.
“Historia bëhet edhe më qesharake me Ermal Beqirin, i cili, sipas SPAK-ut, ka përfituar 22 milionë euro nga tenderët e AKSHI-t. Ermalit i kanë dalë lekët për të blerë një kështjellë në Francë me vlerë 2.6 milionë euro. Ndërsa neve na duhen 40 vite për të blerë një shtëpi në Astir.”
Protestuesi kritikoi gjithashtu edhe planin për hapjen e një konsullate serbe në veri të vendit, si dhe ironizoi zhvillimet e fundit që lidhen me hetimet e SPAK-ut.
Gjatë tubimit nuk munguan edhe thirrjet e protestuesve: “Rama në burg, Belinda në burg”, ndërsa pjesëmarrësit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe hetim të zyrtarëve të lartë.
Në protestë foli edhe aktivisti Edison Lika, i cili e cilësoi lëvizjen si një protestë antisistem.
“Kjo protestë është antisistem, nuk e falim as Berishën dhe as Belindën. Për ne janë njësoj dhe duhet të jenë mbrapa hekurave.”
Lika i bëri gjithashtu thirrje SPAK-ut të hetojë kryeministrin Rama.
“Kemi edhe një thirrje për drejtësinë: Rama Rama SPAK You.”
Në fjalën e tij, aktivisti tha se protesta ka krijuar një frymë të re qytetare dhe se do të vijojë deri në largimin e qeverisë.
“Vijojmë ditën e 66 të rezistencës së shqiptarëve kundrejt autokracisë së Edi Ramës. Për 66 ditë i keni dhënë kësaj shoqërie një leksion qytetarie e demokracie. Kush do ta mendonte para 66 ditësh se shqiptarët do të dilnin në Bulevard, do të kërkonin dorëheqjen e kryeministrit dhe nuk do të largoheshin nga sheshi. Nuk largohemi deri në largimin e Ramës.”




