Reforma territoriale sipas opozitës duhet të sjellë më shumë bashki e të rikthejë disa komuna. Kreu i PD, Sali Berisha tha se projekti parashikon nga 90 në 110 bashki dhe rikthimin e komunave! Rama ka të njëjtin skenar edhe për reformën zgjedhore, tha ai.
Zoti Berisha, ju thatë se e keni gati raportin mbi 400 faqe, a keni ju një propozim se si duhet të jetë ndarja e vendit në sa bashki…
Sali Berisha: Absolutisht ne kemi një propozim shumë të mirë. Ne kemi bërë punën më serioze, kemi ndjekur të gjithë procesin dhe ne kemi pritur rastin kur përfaqësuesit që kanë një ekspertizë shumë të lartë, Kongresi i Autoriteteve Lokale, të ishte i pranishëm dhe ne të paraqisnim variantin tonë. Pala tjetër do paraqiste variantin e vet dhe do merrnim ekspertizën më të mirë. Sigurisht që ne kemi variantin tonë, që është varianti më i shkëlqyer.
Mund të na i tregoni? Sepse puna e komisionit ka përfunduar zoti Berisha.
Sali Berisha: Jo, s’ka përfunduar puna, më fal një minutë. Janë dy gjëra krejt të kundërta, puna dhe afati. Afatet e komisioneve bipartizanë janë shtyrë, nuk ka komision bipartizan që të ketë përfunduar punën në afatin e përcaktuar, gjithmonë ato janë shtyrë. Edhe ky afat duhej të shtyhej, dhe diskutimi i fundit që është bërë si komision, është bërë pikërisht për shtyrjen e afatit. Por Edi Rama ka urdhëruar në mënyrë arbitrare Maznikun, që të paraqesë në mënyrë të njëanshme, të kundërligjshme, sepse ky raport nuk është paraqit në komision. Nuk mund të paraqitet në parlament një raport që s’është paraqitur në komision.
A ka pasur një dakordësi, në dijeninë tuaj, në komision që t’i jepet një rol ndërmjetësuese këtyre ekspertëve ndërkombëtarë, pra palët vijnë me secili me draftin e vet?
Sali Berisha: Pa diskutim. Dhe ky rol ndërmjetësues është i domosdoshëm. Pse? Kongresi i Autoriteteve Lokale e Rajonale, por edhe në Komisionin Evropian, sepse Evropa është edhe Evropa e rajoneve. Edhe në Komisionin Evropian kanë një ekspertizë të jashtëzakonshme për reformat territoriale, dhe ne duhet ta merrnim atë në mënyrë që t’i jepnim vendit një reformë të vërtetë territoriale. Kaq është. Këta veprojnë në mënyrë të njëanshme. Asgjë s’çuditemi, ne e kemi pasur të qartë që në fillim që ai kështu do të veprojë. Por ai e pa se konsultat kudo, qytetarët u ngritën dhe hodhën poshtë ndarjen e tij territoriale.
Sipas Partisë Demokratike, cila duhet të jetë ndarja? Në sa bashki duhet të jetë i ndarë vendi?
Sali Berisha: Ne kemi projektin tonë i cili ka një numër bashkish që varion nga 90 në 110, por shton komunat. Ne nuk themi të shkojmë tek modeli i përparshëm, jo, sepse ka ndryshime demografike, të cilat modelin e përparshëm me katërqind e sa komuna e bëjnë jo shumë realist. Por ne kërkojmë rikthimin e komunave mbi bazën e kritereve demografike të mundshme. Ose aty ku kanë qenë dy apo tre komuna, mund të krijohet një komunë. Pra, ne kemi bërë një punë shumë serioze në hartë në përcaktimin e njësive të ardhshme. Por kjo nuk u lejua sepse u ndërpre. Edi Rama nuk dëshironte reformën. Do me çdo kusht ta kthejë Shqipërinë në çifligun e vet.
Zoti Berisha, prishja e paktit për reformën territoriale, a do të thotë dhe largim nga tryeza e reformës zgjedhore?
Sali Berisha: Unë nuk di pakt që nuk shkel Edi Rama. Edi Rama nuk ka moral, nuk njeh ligj, njeh vetëm ambiciet e tij të shfrenuara për pushtet.
A do e prekë edhe reformën zgjedhore ky hap i mazhorancës?
Sali Berisha: Të sigurt të jeni që ai nuk pranon asgjë përveç asaj që mendon vetë. Por ne, me përgjegjësi të plotë para qytetarëve shqiptarë, të cilët na kanë kërkuar masivisht që të marrim pjesë në këtë reformë. Përveç kësaj, kjo reformë është kusht në raportin e Komisionit Evropian të tetorit të vitit të kaluar, është kusht për Shqipërinë që të ecë më përpara.
Pyetja ime ishte nëse do e braktisni reformën zgjedhore për shkak të prishjes së paktit?
Sali Berisha: Të garantoj që Edi Rama ka të njëjtin skenar.a.b




