Policia e Lezhës ka arrestuar tre persona, të cilët dyshohet se morën me forcë në automjet dhe dhunuan një 28-vjeçar, me pretendimin se ai nuk kishte shlyer pagesat për dy automjete të marra me qira në subjektin e tyre.
Në pranga ranë shtetasit R. M., 28 vjeç, dhe R. M., 22 vjeç, vëllezër dhe administratorë të një subjekti që jep automjete me qira, si dhe kushëriri i tyre, E. M., 22 vjeç.
Sipas Policisë, ngjarja u zbardh pas kallëzimit të bërë nga babai i 28-vjeçarit, i cili denoncoi se djali i tij ishte marrë me forcë nga disa persona. Menjëherë pas denoncimit, shërbimet e Policisë identifikuan dhe arrestuan autorët e dyshuar, ndërsa sekuestruan edhe automjetin me të cilin i riu ishte transportuar nga Kruja në Lezhë.
Nga hetimet paraprake rezulton se tre të arrestuarit e kanë marrë me forcë 28-vjeçarin në një karburant në fshatin Derven, me pretendimin se ai nuk kishte paguar detyrimet për dy automjete të marra me qira. Më pas, ata e kanë transportuar në një karburant në fshatin Shënkoll, ku dyshohet se e kanë dhunuar dhe më pas e kanë lënë në rrugë.
I dëmtuari u dërgua në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku mori ndihmën mjekësore dhe më pas u largua në banesë, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Vetëgjyqësia” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”, të kryera në bashkëpunim.a.b





