Nga Gentiana Sula
Dua ta filloj jo nga një institucion, jo nga një ligj dhe as nga një dokument me vulë shteti.
Dua ta filloj nga një qytetar.
Nga një burrë ose një grua që sot troket në dyert e Autoritetit dhe kërkon dosjen e babait, të nënës, të gjyshit apo të gjyshes. Nuk vjen thjesht për të marrë disa fletë të verdha nga koha. Vjen me një pyetje që e ka mbajtur peng për dekada, ndonjëherë pa e shqiptuar kurrë me zë të lartë, as brenda familjes së vet:
Pse u dënua njeriu im?
Çfarë kishte bërë vërtet?
A ekzistoi ndonjëherë një faj, apo ekzistoi vetëm një dyshim që u vesh me petkun e ligjit?
Apo ishte dënuar sepse kishte folur? Sepse kishte heshtur në momentin e gabuar? Sepse kishte shprehur dëshirën për t’u larguar? Sepse kishte një të afërm jashtë kufijve të vendit? Sepse vinte nga një familje e klasifikuar “e papërshtatshme” për një shoqëri që donte t’i rikrijonte njerëzit sipas një modeli të vetëm? Sepse dikush, në një moment frike ose oportunizmi, e kishte përmendur në një raport?
Kjo pyetje nuk është shuar me kohën. Përkundrazi, ka mbetur e gjallë, sepse të jesh dënuar nga shteti — qoftë ky shtet edhe një diktaturë — lë pas vetes një hije që nuk e fshin as koha, as ligji i rehabilitimit.
Mbetet vula mbi dosje. Mbetet nënshkrimi i gjyqtarit. Mbetet, mbi të gjitha, fjala “fajtor”, e cila, edhe kur zhvlerësohet juridikisht, vazhdon të funksionojë si stigmë shoqërore.
Dhe kështu, fëmija i të dënuarit i afrohet dosjes së prindit me ndrojtje, sikur brenda saj të rrezikonte të gjente jo vetëm padrejtësinë e shtetit ndaj tij, por edhe një turp të trashëguar familjar që s’i takon.
Pikërisht këtë raport të pashëndetshëm me të kaluarën duhet ta ndryshojmë sot.
Numrat pas heshtjes
Në fondet tona ruhen rreth 13 mijë dosje gjyqësore që lidhen me të ashtuquajturat “krime kundër shtetit”. Këto dosje na djegin duart. Jo thjesht për shkak të asaj që përmbajnë brenda faqeve të tyre të zverdhura, por për shkak të asaj që na kërkojnë neve sot, si institucion i kujtesës dhe si shoqëri.
Ato na kërkojnë të mos mjaftohemi me pohimin komod se viktimat janë rehabilituar ose pafajësuar me ligj. Pafajësimi ligjor ishte hap i domosdoshëm historik. Por ai hoqi vetëm pasojën juridike të dënimit; nuk e çmontoi vetvetiu makinerinë që e prodhoi fajin që në themel.
Nuk na shpjegoi si lindte dyshimi te një zyrtar i Sigurimit. Si një informacion i pakontrolluar, i marrë ndoshta nga një bisedë e rastësishme në kafene apo nga një letër e hapur në postë, bëhej indicie. Si indicia bëhej hetim. Si hetimi ndërtonte akuzën, hap pas hapi, me durimin e ftohtë të një burokracie represive. Si akuza merrte formën solemne të një vendimi gjyqësor. Dhe si ky vendim, i veshur me vulën e shtetit, shpërndante pasojat e tij mbi të gjithë pemën familjare — mbi bashkëshortin, mbi fëmijët, mbi nipërit që ende nuk kishin lindur.
Në këto dosje gjejmë akuza që asnjë rend demokratik bashkëkohor nuk do t’i pranonte: mendimin e quajtur “agjitacion e propagandë”; dëshirën për t’u larguar nga vendlindja të kualifikuar si “tradhti”; një bisedë private të interpretuar si “komplot”; një lidhje farefisnore të përdorur si provë vetvetiu; një origjinë shoqërore të shndërruar, me një gjuhë pothuajse biologjike, në “rrezik klasor” të trashëgueshëm.
Procedura si pjesë e krimit
Por problemi nuk qëndronte vetëm te përmbajtja e akuzës. Qëndronte, në mënyrë po aq të thellë, te vetë procedura që e prodhonte atë.
Kush e mblidhte informacionin fillestar? Kush e verifikonte, apo më saktë, kush vendoste të mos e verifikonte? Në çfarë kushtesh merrej deklarimi — në liri apo nën frikën e internimit, të burgut, të dënimit të familjes? A ishte i pandehuri i lirë të mos dëshmonte kundër vetes, siç kërkon çdo standard bashkëkohor i drejtësisë penale? A mund të kundërshtonte provën e paraqitur ndaj tij? A mund të kërkonte dëshmitarë në favor të vetin? A kishte kohën minimale të nevojshme për të përgatitur mbrojtjen e vet?
A ishte gjykata institucionalisht e pavarur nga organi politik dhe nga i njëjti aparat që kishte ndërtuar çështjen që tani gjykohej?
Dhe, mbi të gjitha këto pyetje, qëndron një tjetër, ndoshta më themelorja: a kishte i pandehuri pranë vetes një avokat që të kishte lirinë profesionale, morale dhe qytetare t’i thoshte shtetit “jo”?
Jo, kjo nuk është provë e ligjshme.
Jo, ky pohim nuk mund të merret si i lirë, kur është marrë nën presion.
Jo, një mendim i shprehur, sado i pakëndshëm për pushtetin, nuk është krim.
Jo, ky njeri nuk mund të dënohet vetëm sepse pushteti politik e ka shpallur, në gjuhën e vet ideologjike, “armik i popullit”.
Historia morale e një profesioni
Këtu, në këtë hapësirë të ngushtë midis frikës institucionale dhe detyrës profesionale, fillon ajo që unë do ta quaja historia morale e avokatisë.
Avokati nuk është thjesht ai që njeh nenet e kodit. Është ai që e vendos ligjin — jo si abstraksion, por si praktikë e gjallë — ndërmjet qytetarit të vetmuar dhe pushtetit të organizuar të shtetit. Në një sistem demokratik, prania e tij nuk konsiderohet pengesë për drejtësinë; përkundrazi, konsiderohet një nga kushtet themelore të saj, njësoj siç gjykata e pavarur apo prezumimi i pafajësisë janë kushte të pashkëputshme të një procesi të drejtë.
Por në një regjim që e kërkonte nënshtrimin si normë sociale dhe politike, edhe një gjë kaq elementare sa ruajtja e etikës profesionale mund të kthehej, papritur, në akt qëndrese. Një përpjekje e heshtur për të shpëtuar një jetë njerëzore. Një kërkesë e ngulmuar për të kontrolluar një provë të dyshimtë. Një refuzim, i thënë ndoshta me zë të ulët në një sallë gjyqi bosh nga publiku, për ta quajtur fajtor një njeri vetëm sepse pushteti e kishte vendosur, që më parë, në anën e armikut.
Emra që nuk duhen humbur
Sot sjellim në vëmendjen tuaj tre emra: Erifili Bezhani. Koço Dilo. Muzafer Pipa.
Tre njerëz. Tre fate të veçanta, secili me peshën e vet të dhimbshme. Por, njëkohësisht, tri hyrje në një histori shumë më të gjerë — historinë e një profesioni të tërë që u godit sistematikisht, dhe të një sistemi mbrojtjeje që u dobësua deri sa u zhduk.
Nga puna jonë kërkimore dhe nga dokumentet arkivore që kemi shqyrtuar me kujdes, kemi identifikuar rreth 130 avokatë që ushtruan profesionin gjatë periudhës së parë të regjimit, në vitet e para të pasluftës. Prej tyre, deri më sot, kemi identifikuar të paktën 30 që u dënuan, u burgosën, u internuan, u survejuan me sistematicitet, u përjashtuan nga profesioni ose u penguan në forma të tjera ta ushtronin atë.
Këto shifra kërkojnë ende plotësim e dokumentim të mëtejshëm, sepse puna arkivore, siç e dimë, është një punë e pafund dhe e ndershme vetëm kur pranon kufijtë e vet. Por tabloja që na del përpara është, edhe në këtë fazë, mjaft e qartë: nuk u goditën vetëm individë, sado i rëndë të jetë ky fakt në vetvete. U godit vetë mundësia institucionale që profesioni i avokatit të qëndronte i pavarur ndërmjet qytetarit dhe shtetit.
Aq më domethënëse bëhet, në këtë kontekst, historia e Musine Kokalarit, e cila, e ndërgjegjshme për pamundësinë reale që i ofrohej për t’u mbrojtur në mënyrë efektive, mori një vendim që kërkonte një kurajë të jashtëzakonshme: vendosi të mbrohej vetë. Pa privilegjin e një avokati të lirë pranë saj, ajo përballoi vetë akuzën, me fjalën e vet si i vetmi instrument mbrojtjeje që i kishte mbetur. Kjo është, ndoshta, dëshmia më e qartë e asaj që ndodh kur shteti heq nga qytetari të drejtën për t’u mbrojtur realisht — njerëzit përpiqen ta rindërtojnë atë mbrojtje me çfarëdo mjeti moral që u ka mbetur.
Viti 1967: kur mbrojtja u shfuqizua me vendim partie
Më pas, në vitin 1967, ajo çka kishte mbetur nga profesioni i pavarur i avokatisë u shfuqizua përfundimisht. Dhe kjo nuk erdhi si rezultat i një debati të lirë profesional, as nga vullneti i një parlamenti të zgjedhur demokratikisht, as nga një nevojë e vërtetuar për ta përmirësuar mbrojtjen juridike të qytetarëve.
Erdhi me vendim të Byrosë Politike të Komitetit Qendror, të nënshkruar nga vetë Enver Hoxha, që miratoi propozimin për “suprimimin e avokatisë” dhe zëvendësimin e saj me zyra juridike të varura nga i njëjti aparat shtetëror që hetonte, akuzonte dhe gjykonte.
Ky dallim — ndërmjet një akti ligjor të një organi legjislativ dhe një urdhri politik të pashoqëruar me asnjë proces demokratik — është themelor për të kuptuar natyrën e vërtetë të asaj që ndodhi.
Shërbimi juridik mund të organizohet, financohet dhe reformohet nga shteti. Por avokatia, si profesion, nuk është thjesht shërbim teknik. Ajo është besim. Është konfidencialitet i patjetërsueshëm ndërmjet avokatit dhe klientit. Është pavarësi institucionale dhe morale. Është, para së gjithash, e drejta themelore e qytetarit për të pasur pranë vetes dikë që nuk i detyrohet, as profesionalisht dhe as politikisht, organit që e heton, e akuzon apo e gjykon.
Kur ndihma juridike vendoset nën të njëjtin aparat që ushtron pushtetin shtetëror, ajo mund të vazhdojë të ekzistojë formalisht, në letër, në procesverbal. Por nuk është më, domosdoshmërisht, mbrojtje reale.
Kufiri i vështirë midis mbijetesës dhe përgjegjësisë
Dhe megjithatë, duhet të jemi veçanërisht të kujdesshëm kur flasim për ata që jetuan dhe punuan brenda vetë këtij sistemi represiv, si avokatë, si prokurorë apo si gjyqtarë të një drejtësie që e dinin, në thellësi të ndërgjegjes së tyre, se nuk ishte plotësisht e drejtë.
Fatet e tyre individuale nuk përcaktoheshin thjesht nga një ndarje e pastër mes heroizmit dhe nënshtrimit të plotë. Përcaktoheshin, në një masë të madhe, edhe nga logjika e vështirë e mbijetesës.
Nga frika e ligjshme për fatin e fëmijëve. Nga nevoja elementare për të ruajtur vendin e punës dhe strehimin e familjes. Nga kërcënimi i përhershëm i internimit apo i burgut. Nga presioni i vazhdueshëm, i heshtur e i dukshëm njëkohësisht, për t’u përshtatur e për të heshtur. Nga kufiri jashtëzakonisht i hollë ndërmjet kompromisit të domosdoshëm dhe bashkëpunimit të vullnetshëm, ndërmjet përshtatjes së kufizuar dhe përgjegjësisë morale.
Jo të gjithë patën mundësinë reale të kundërshtonin hapur. Jo të gjithë heshtën për të njëjtat arsye, as me të njëjtën peshë morale. Jo të gjithë patën, në fund të fundit, të njëjtën hapësirë zgjedhjeje — sepse hapësira e zgjedhjes nën një regjim represiv nuk është kurrë e barabartë për të gjithë, por varet nga pozicioni shoqëror, nga biografia familjare, nga rrjeti i marrëdhënieve, nga thjesht fati.
Prandaj, dokumentet e kësaj periudhe duhen lexuar me një drejtësi historike të vërtetë, jo vetëm me sigurinë e rehatshme morale të atyre prej nesh që kemi pasur privilegjin të jetojmë në liri dhe të mos përballemi kurrë me atë lloj presioni.
Por, njëkohësisht, duhet të njohim dhe të nderojmë edhe ata që, brenda hapësirës së vogël dhe të rrezikshme që u kishte mbetur, u përpoqën, me çmimin e vet personal, të silleshin ende si avokatë. Ata që, edhe në kushtet më të vështira, nuk harruan se përballë tyre, pas çdo dosjeje, qëndronte gjithsesi një njeri.
Pesha që trashëgohet
Pesha e këtij sistemi represiv nuk ra vetëm mbi profesionin e avokatisë, sado i rëndë të jetë ky dëm në vetvete. Ra mbi rreth 20 mijë të dënuar politikë dhe mbi familjet e tyre të gjera, të cilat trashëguan pasojat pa e kërkuar dhe shpesh pa e kuptuar plotësisht arsyen.
Ra mbi bashkëshortet që mbetën vetëm, ndonjëherë për vite, ndonjëherë përgjithmonë. Mbi fëmijët që u penguan sistematikisht në rrugën drejt arsimit dhe formimit profesional. Mbi të rinjtë që nuk mund të zgjidhnin lirisht profesionin e ëndrrave të tyre, thjesht për shkak të një biografie familjare që nuk e kishin zgjedhur vetë. Mbi familje të tëra që humbën shtëpinë, pronën, vendbanimin dhe, mbi të gjitha, të drejtën elementare për një jetë normale, të parashikueshme, të pashoqëruar nga stigma.
Kjo peshë nuk mbaroi bashkë me rënien e diktaturës në vitin 1990. Shoqëria shqiptare vazhdon ende sot ta paguajë këtë dëm historik.
E paguan përmes plagëve familjare të patrajtuara ende as psikologjikisht, as institucionalisht. Përmes mosbesimit të thellë ndaj vetë institucioneve të drejtësisë. Përmes bindjes së heshtur, gati instiktive, se shteti ka gjithmonë të drejtë kur akuzon. Përmes idesë së gabuar se gjykata tregon forcë vetëm kur dënon, e jo kur mbron. Përmes dyshimit të përgjithshëm ndaj avokatit kur ai guxon të kundërshtojë akuzën publike. Përmes prirjes për ta parë procedurën ligjore si thjesht një pengesë burokratike, e jo si vetë thelbi i mbrojtjes qytetare.
Këto janë, në thelb, sëmundje me rrënjë të thella në një sistem drejtësie që u ndërtua, për dekada të tëra, pa të drejta reale për qytetarin. Një sistem që na mësoi, ndoshta pa e vënë re, se rendi ishte gjithmonë më i rëndësishëm se liria individuale. Se rrëfimi i marrë, madje edhe me dhunë, vlente si provë më shumë sesa fakti objektiv. Se interesi abstrakt i shtetit qëndronte, në hierarkinë e vlerave, mbi dinjitetin konkret të qytetarit. Se ishte i akuzuari ai që duhej të provonte pafajësinë e vet, në vend që shteti të provonte, siç i takon, fajësinë.
Drejtësia demokratike si e kundërta
Drejtësia demokratike, ajo që ne sot përpiqemi ta ndërtojmë e ta forcojmë, duhet të jetë saktësisht e kundërta e këtij modeli.
Ajo nuk matet me numrin e njerëzve që dënon një sistem gjyqësor, por me cilësinë reale të procesit që çon drejt çdo vendimi. Matet me ligjshmërinë rigoroze të provës së paraqitur. Me pavarësinë institucionale dhe personale të gjykatësit. Me zbatimin real, jo vetëm formal, të prezumimit të pafajësisë. Me barazinë e armëve ndërmjet akuzës dhe mbrojtjes brenda procesit. Dhe, mbi të gjitha, me mundësinë konkrete të avokatit për të kundërshtuar shtetin — pa frikë ndëshkimi, pa presion institucional dhe pa u identifikuar automatikisht me klientin që mbron, sepse mbrojtja e një njeriu nuk do të thotë kurrë ndarje të fajit të tij.
Vetëm një vit më parë, në 2025-n, Këshilli i Evropës miratoi Konventën për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit — instrumenti i parë ndërkombëtar juridikisht detyrues i këtij lloji në historinë e kontinentit tonë. Ajo mbron pikërisht atë çka iu mohua avokatëve që kujtojmë sot: pavarësinë nga ndërhyrja politike, konfidencialitetin me klientin, aksesin real në dosje e në kohën e nevojshme për mbrojtje, dhe lirinë e vetë organizatave profesionale të avokatëve. Fakti që sot ekziston një konventë e tillë evropiane nuk është thjesht kronologji juridike. Është dëshmi se bota demokratike ka mësuar, me vonesë por me vendosmëri, atë që Shqipëria e diktaturës e mohoi me plot vetëdije në 1967.
Një shtet i vërtetë i fortë nuk është ai ku akuza e pushtetit është e pakundërshtueshme, ku fjala e prokurorit peshon më shumë se fakti. Një shtet i fortë, në kuptimin e thellë e demokratik të fjalës, është ai që pranon vetë të kontrollohet, të kundërshtohet publikisht dhe të kufizohet nga sundimi i ligjit — jo si kufizim i pushtetit të tij, por si burim i legjitimitetit të tij.
Përgjegjësia që na mbetet sot
Sot, duke kujtuar avokatët e përndjekur të asaj periudhe të errët, ne nuk përpiqemi thjesht të ndërtojmë një listë të gjatë viktimash, sado e domosdoshme të jetë edhe kjo listë për kujtesën kombëtare.
Ne përpiqemi diçka më ambicioze e, ndoshta, më e vështirë: të rindërtojmë me kujdes historinë e një profesioni të tërë. Të kuptojmë, hap pas hapi, çfarë i ndodhi realisht të drejtës për mbrojtje në vendin tonë. Të dallojmë me saktësi mekanizmin institucional që e ktheu politikën e panjohur në akuzë të formalizuar, dhe akuzën në dënim të pakundërshtueshëm. Dhe të kërkojmë, me durim e me nderim, në çdo dokument arkivor, ato çaste — shpesh të vogla, të pashënuara me emra të mëdhenj — kur dikush pati kurajën e nevojshme për t’u sjellë ende si avokat, edhe kur profesioni i tij ishte kthyer në rrezik personal.
Sepse ekziston një formë qëndrese që nuk bën gjithmonë zhurmë, që nuk hyn kurrë në kronikat e mëdha të historisë politike. Është qëndresa e heshtur e atij që ruan, në kushte ekstreme, profesionin e vet dhe ndërgjegjen e tij individuale. E atij që vendos, me guxim të qetë, një kufi të qartë ndërmjet ligjit dhe arbitraritetit të pushtetit. E atij që vazhdon të shohë njeriun konkret, me emrin, familjen dhe dhimbjen e tij, në një moment kur vetë pushteti politik zgjedh të shohë vetëm etiketën e armikut.
Dokumentet që ruajmë sot në Autoritet na tregojnë, me detaje shpesh të dhimbshme, çfarë ndodhi vërtet gjatë atyre dekadave. Kujtesa jonë kolektive na detyron ta pyesim veten, pa u lodhur kurrë, pse ndodhi kjo. Dhe drejtësia — jo si institucion abstrakt, por si përgjegjësi e përditshme e secilit prej nesh — na ngarkon detyrën morale që kjo histori të mos përsëritet kurrë më, në asnjë formë e nën asnjë pretekst.
Kujtesa ka rëndësi.
Drejtësia ka rëndësi.
Ju faleminderit.
*Artikulli i mëposhtëm është përshtatur nga fjala e mbajtur nga Kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), Dr. Gentiana Sula, në aktivitetin përkujtimor “Mbrojtja në Pranga (1944–1966)”, organizuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Drejtësisë Penale, më 17 korrik 2026.





