Një aksident rrugor ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në zonën e Fanit, në Mirditë, ku gjashtë të mitur, të afërm mes tyre, kanë mbetur të plagosur pasi automjeti me të cilin udhëtonin u përplas me një shtyllë ndriçimi.
Sipas informacioneve paraprake, makina drejtohej nga një 16-vjeçar, i cili dyshohet se e kishte marrë mjetin pa leje. Për arsye që mbeten ende objekt hetimi, ai ka humbur kontrollin e drejtimit, duke shkaktuar aksidentin.
Si pasojë e përplasjes, të gjashtë të miturit kanë pësuar lëndime. Një vajzë 12-vjeçare dyshohet se ka thyer legenin, ndërsa dy të mitur të tjerë kanë pësuar fraktura në duar dhe këmbë. Katër të plagosurit e tjerë kanë marrë dëmtime të ndryshme.
Fillimisht, të lënduarit morën ndihmën e parë në spitalin lokal dhe më pas u transportuan drejt Tiranës për trajtim më të specializuar. Për transportimin e tyre u angazhuan gjashtë autoambulanca.
Sipas të dhënave paraprake, gjendja e të gjashtë të miturve është jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë kryer veprimet procedurale dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit. Ndërkohë, 16-vjeçari është proceduar sipas ligjit, ndërsa hetimet vijojnë.a.b




