Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar në Gjykatën e Posaçme kërkesën për gjykimin e procedimit penal që lidhet me kontratën koncesionare për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Tiranës.
Në dosje janë marrë të pandehur Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Dashamir Ymeraj, Arjola Kodra, Giuseppe Ciaffaglione, Denisa Tollkuçi, Elton Bualli, Endrit Habilaj, Renardo Nallbani, Marc Richard Lappat, Michael Peter Druijts dhe Ilir Dedja, si edhe shoqëritë “Integrated Energy BV S.P.V” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Service” sh.p.k.
Sipas SPAK, Mirel Mërtiri akuzohet për mashtrim me pasoja të rënda, pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Klodian Zoto akuzohet për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, mashtrim me pasoja të rënda, pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Dashamir Ymeraj akuzohet për mashtrim me pasoja të rënda, pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, ndërsa Arjola Kodra për falsifikim dokumentesh me pasoja të rënda, pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Giuseppe Ciaffaglione, Denisa Tollkuçi, Elton Bualli, Endrit Habilaj, Renardo Nallbani, Marc Richard Lappat, Michael Peter Druijts dhe Ilir Dedja akuzohen për pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Ndërkohë, shoqëria “Integrated Energy BV S.P.V” sh.p.k. akuzohet për mashtrim me pasoja të rënda dhe pastrim parash, ndërsa “Integrated Technology Service” sh.p.k. akuzohet për korrupsion aktiv, mashtrim me pasoja të rënda dhe pastrim parash.
Sipas hetimeve, procedura koncesionare e zhvilluar nga ish-Ministria e Mjedisit për ndërtimin e landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e venddepozitimeve ekzistuese në Tiranë përfundoi me shpalljen fituese të shoqërisë “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k., me një investim të parashikuar prej 128.2 milionë euro pa TVSH.
SPAK thotë se gjatë procedurës janë konstatuar veprime të kundërligjshme nga ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, ish-sekretari i përgjithshëm Alqi Bllako, si dhe zyrtarët Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Taulant Tusha dhe Namik Simixhiu, të cilët, sipas akuzës, favorizuan shpalljen fituese të kompanisë koncesionare. Për këta persona, SPAK kujton se çështjet janë dërguar më herët për gjykim dhe janë përfunduar me vendime të formës së prerë.
Nga hetimi rezulton se nga viti 2017 deri në vendosjen e sekuestros preventive në vitin 2023, kompania koncesionare ka përfituar mbi 11.3 miliardë lekë të ardhura, ndërsa investimet reale për ndërtimin e objektit kanë qenë rreth 21 milionë euro.
Sipas SPAK, pronarët de facto të kompanisë, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, kanë përfituar në mënyrë të parregullt shuma të konsiderueshme nga zbatimi i kontratës, pa kryer investimet e plota të parashikuara. Prokuroria pretendon se ata kanë nxjerrë fonde nga llogaritë e kompanisë përmes faturave fiktive, përdorimit të shoqërive fiktive brenda dhe jashtë vendit, si edhe transfertave në cash, duke përfituar mbi 1.28 miliardë lekë dhe 16.6 milionë euro.
Sipas dosjes, për pastrimin e këtyre të ardhurave Mërtiri dhe Zoto kanë bashkëpunuar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal me të pandehurit shqiptarë dhe të huaj të përfshirë në këtë procedim.
SPAK kujton gjithashtu se mbi pasuritë e Mirel Mërtirit, Klodian Zotos dhe të shoqërive “Integrated Energy BV S.P.V” sh.p.k., “Integrated Technology Services” sh.p.k. dhe “F.M.O” sh.p.k. është vendosur më herët masa e sekuestros preventive.
Prokuroria bën të ditur se hetimet vijojnë në një procedim të ndarë, me qëllim evidentimin e fakteve të tjera penale dhe identifikimin e personave të tjerë përgjegjës për procedurën e dhënies dhe zbatimit të kontratës koncesionare.



