Gazment Bardhi deklaroi se emërimi i Ervin Demos në krye të Ministrisë së Brendshme është rezultat i asaj që ai e quajti “Aleanca e Valamarit”. Në një intervistë për “Breaking” me Fiori Dardhën në Top News, zoti Bardhi tha se Ervin Demo ka një lidhje të afërt dhe të hershme me drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme, zotin Braho, dhe ka shërbyer si pikë kontakti dhe komunikimi mes SPAK dhe Kryeministrit.
“Edi Rama pret që të forcojë kontaktet private me drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme, me zotin Braho”, tha Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
PJESË NGA INTERVISTA/ Gazment Bardhi: Pra, për mua personalisht, nuk ka asnjë surprizë që zoti Demo është ministri i ri i Brendshëm, sepse kështu ka vendosur “Aleanca e Valamarit”, të cilën do të duhet ta shpjegojnë ministri i ri i Brendshëm, kryeministri Rama dhe drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme.
Fiori Dardha, Breaking Top News: Çfarë pret ndryshe zoti Rama nga ministri i ri i Brendshëm, zoti Demo?
Gazment Bardhi: Pret që të forcojë kontaktet private me drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme, me zotin Braho.
Fiori Dardha, Breaking Top News: Në çfarë forme? Për çfarë po aludoni?
Gazment Bardhi: Zoti Demo është një person shumë i afërt me drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme, me një lidhje të gjatë me të, dhe ka qenë gjatë gjithë kësaj kohe pika e kontaktit dhe e komunikimit mes Prokurorisë së Posaçme dhe zotit Rama. Dhe po e përsëris: në Marrëveshjen e Valamarit kanë rënë dakord që zoti Demoduhet të jetë ministri i ri i Brendshëm.
Fiori Dardha, Breaking Top News: Kjo është një deklaratë e fortë që po bëni, zoti Bardhi.
Gazment Bardhi: Kjo është një deklaratë që secili prej personazheve që unë përmenda, përfshirë edhe një avokat të Partisë Socialiste, por që është irrelevant në këtë diskutim që po bëjmë, mund të dalë dhe ta kundërshtojë.
Fiori Dardha, Breaking Top News: Çfarë është Aleanca e Valamarit, me më shumë detaje?
Gazment Bardhi: Aleanca e Valamarit janë takimet e shpeshta të drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme, ministrit të ri të Brendshëm dhe një avokati të Partisë Socialiste në këtë kompleks që unë po them për të forcuar kontaktet private, në një përpjekje të dëshpëruar të Edi Ramës për të vazhduar kontrollin apo për të kontrolluar drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme. Apeli im për zotin Braho është të distancohet nga Ervin Demo, të distancohet nga Edi Rama dhe të lidhet ngushtë me zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjit.a.





