Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në aksin Lezhë-Milot, ku përplasja mes një kamioni dhe një automjeti ka rezultuar fatale për një person.
Sipas informacionit paraprak, viktimë ka mbetur drejtuesi i automjetit, shtetasi nga Kosova K.B., i cili humbi jetën në vendngjarje si pasojë e plagëve të marra.
Nga aksidenti kanë mbetur të lënduar edhe motra dhe djali i viktimës, të cilët u transportuan menjëherë në Spitalin e Traumës në Tiranë. Burime zyrtare bëjnë me dije se të dy ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Policia njoftoi se ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:30, kur një kamion me drejtues shtetasin A.M. është përplasur me automjetin që drejtohej nga K.B.
Pas aksidentit, drejtuesi i kamionit është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Lezhë për kryerjen e veprimeve procedurale. Ndërkohë, grupi hetimor po punon në vendngjarje për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit.a.b



