Deputetja e Shkodrës, Marjana Koçeku, ka paralajmëruar publikisht Bajraj e Shkodrës përmes një mesazhi në rrjetet sociale, duke lënë të kuptohet se ajo ose familjarët e saj mund të jenë përballur me kërcënime.
“Ky mesazh i drejtohet Bajrajve të Shkodrës. Nëse familjes teme i preket kjoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën”, shkroi Koçeku në reagimin e saj.
Sipas policisë, deri më tani nuk rezulton të jetë depozituar asnjë denoncim për kërcënim ndaj deputetes.
“As Marjana Koçeku dhe as familjarët e saj nuk kanë bërë denoncim për kërcënim në polici”, konfirmuan burime të Policisë së Shkodrës.
Reagimi i deputetes vjen pak ditë pasi ajo njoftoi largimin nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe kalimin si deputete e pavarur.
Që prej deklaratës së saj në Kuvend, Koçeku ka shmangur daljet publike dhe nuk ka marrë pjesë në aktivitetet e komisioneve parlamentare. Sipas raportimeve, ajo nuk ka qenë e arritshme as për drejtuesit e grupit parlamentar socialist, ndërsa ende nuk ka paraqitur zyrtarisht kërkesën për t’u larguar nga grupi dhe për të ushtruar mandatin si deputete e pavarur. a.b




