Një operacion i Policisë së Tiranës ka çuar në zbulimin e një call center-i ku dyshohet se kryhej veprimtari e mashtrimit kompjuterik. Aksioni, i koduar “Hold On”, u zhvillua në një objekt në bulevardin “Gjergj Fishta”.
Sipas policisë, në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë Ernest Kurti (28 vjeç), Amanti Jeshili (21 vjeç), Eljo Dyrmishi (21 vjeç) dhe Marjo Myftari (19 vjeç), të cilët dyshohet se administronin këtë aktivitet ose drejtonin grupet e punonjësve të përfshirë në të.
Gjatë kontrollit në ambientet e call center-it, efektivët kapën në flagrancë edhe 49 persona të tjerë që po punonin në momentin e ndërhyrjes. Për ta ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.
Hetimet nisën pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se në katin e dytë të objektit zhvillohej aktivitet i paligjshëm i mashtrimit kompjuterik. Operacioni u realizua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe ata të Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë.
Si provë materiale u sekuestruan 94 kompjuterë, 11 telefona celularë, 2 iPad, si dhe materiale të tjera me interes për hetimin. Në total, policia bëri të ditur se janë sekuestruar 107 pajisje elektronike që dyshohet se përdoreshin për realizimin e mashtrimeve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme hetimore.





