Kompania Mabco e biznesmenit Behgjet Pacolli ka akuzuar zyrtarisht qeverinë shqiptare, në Gjykatën e Arbitrazhit në Londër, se po synon t’i marrë koncesionin e aeroportit të Vlorës për t’ia dhënë biznesmenit izraelit Ron Yeffet.
Pretendimi është pjesë e padisë së depozituar nga Mabco në Gjykatën e Arbitrazhit, ku kompania kërkon edhe një masë sigurie lidhur me procedurën e nisur nga qeveria shqiptare për prishjen e kontratës së koncesionit.
Sipas Kapitalit, dy burime konfidenciale brenda Avokatit të Shtetit dhe Ministrisë së Infrastrukturës, të cilët kanë lexuar dokumentin, kanë konfirmuar përmbajtjen e akuzës.
Nuk dihet se mbi çfarë provash e ka mbështetur Mabco pretendimin se qeveria shqiptare po kërkon të prishë koncesionin me qëllim që aeroporti t’i kalojë biznesmenit Ron Yeffet. Sipas burimeve, avokatët e Pacollit i kanë deklaruar Gjykatës se Yeffet është një biznesmen me lidhje të ngushta me qeverinë shqiptare.
Për përplasjen me qeverinë shqiptare, Mabco ka angazhuar studion e njohur amerikane Patton Boggs. Avokatët e saj kanë mbërritur pak ditë më parë në Tiranë, ku morën pjesë në një takim të përbashkët mes Mabco, VIA-s dhe 2A Group me Ministrinë e Infrastrukturës.
Takimi përbënte përpjekjen e parë të palëve për të gjetur një zgjidhje me mirëkuptim, pasi qeveria shqiptare njoftoi nisjen e procedurës për prishjen e koncesionit.
Kjo konsiderohet faza e parë e procesit të arbitrazhit. Sipas procedurës, Gjykata pritet t’u kërkojë palëve në vijim të dorëzojnë paditë dhe pretendimet e plota në themel të çështjes. /Kapitali



